TIRANË

Në ditën e 11 të protestës së tyre, studentët vijojnë të sfidojnë motin me shi dhe temperatura të ulëta. Studentët kanë protestuar edhe sot para kryeministrisë, ndërsa vijojnë të qëndrojnë ende aty edhe pse në numër jo shumë të madh, pasi shumë prej tyre janë nga rrethet dhe kanë ikur për t’u rikthyer të hënën.

Studentët shprehen se do vazhdojnë protestat e tyre deri në plotësimin e 8 kërkesave pa dialog. Ata kanë paralajmëruar protestë masive të hënën me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve. Sakaq, studentët e fakultetit Ekonomik kanë kërkuar dorëheqjen e dekanit Dhori Kule me pretendimin se nuk i ka pritur në takim për të diskutuar problematikat.

MINUTE PAS MINUTE:

21:01– Studentet janë shprehur se refuzojnë një takim mes dekanatit të fakultetit Ekonomik dhe një përfaqësie të tyre. Sipas tyre, ata nuk kanë përfaqësi dhe për këtë arsye kanë refuzuar takimin me dekanin Dhori Kule. Ata thonë se do pranojnë takim me Kulen kur të jenë të pranishëm të gjithë pa përjashtim.

20:20-Pas kërkesës së studentëve për dorëheqjen e dekanit të Fakultetit Ekonomik Dhori Kule, pasi sipas tyre nuk ka shkuar në takim sot për problematikat e tyre, ka ardhur reagimi i Dekanatit të Ekonomikut. Përmes një deklarate, Dekanati hedh poshtë pretendimet e studentëve se ka qenë Dhori Kule ai që nuk ka shkuar në takim. Dekanati thotë se takimi nuk është realizuar, pasi sipas tyre kanë qenë studentët ata të cilët nuk kanë njoftuar për datën dhe orën e këtij takimi.

17:45-Studentet e Ekonomikut kanë kërkuar largimin e dekanit të Fakultetit të Ekonomikut, Dhori Kule. Ata kishin kërkuar një takim me Dhori Kulen, por ky i fundit kishte kërkuar mbledhje vetëm me 20 përfaqësues prej tyre, çka nuk është pranuar prej studentëve. Mbledhja ishte parashikuar në orën 4:00 të pasdites së sotme, por sipas studenteve ai nuk ka ardhur ne takim. Pasi kanë pritur 30 minuta, studentët kanë shkuar në bulevard, para kryeministrisë aty ky po protestohet prej 11 ditësh.

“Jam studente e Ekonomikut. Ne kërkuam një mbledhje me dekanatin për të diskutuar problematikat. Ne pritëm, por nuk na erdhi asnjë. Ne erdhëm këtu dhe po protestojmë. Fakulteti digjet dhe Dhori krihet. Duhet të vijë dhe të mbajë përgjegjësi”- thotë një studente duke e shoqëruar në kor me thirrjet “Dhori Kule ik”.

17:13- Studentët e Ekonomikut nuk paraqiten në mbledhjen me dekanin, ndërsa të gjithë janë nisur drejt sheshit. Një 74-vjecar i bashkuar me studentët ka brohoritur me te madhe:  Allahu ju ruajt, jam me ju edhe sikur një student i vetëm të dalë në protestë.

16:50- Studentët vijojnë të qëndrojnë para godinës së kryeministrisë, ndërsa u shprehën se ka përpjekje për t’i manipuluar ato në kauzën e tyre, e cila sot ka hyrë në ditën e 11-të.

“Kanë filluar të bëjnë thirrje për dialog nëpër studentë të ndryshëm. Duan të na manipulojnë, nuk është aspak morale që të sabotojnë kauzën tonë”, tha një student.

Një tjetër u shpreh: “Ne e kemi bërë të qartë, por jo vetëm studentët e Ekonomisë, thjesht nuk do të këtë dialog dhe negociata. Nuk ka asnjë përfaqësi, por duhet të plotësohen ato 8 kërkesa. Të hënën shpresojmë që edhe moti të jetë në favorin tonë. Protesta do të jetë masive. Ka mobilizim edhe nga rrethet.

13:00 – Protesta tek bulevardi Dëshmorët e Kombit përballë kryeministrisë vijon edhe këto orë të mesditës, me studentët e banorët e Astirit që janë bërë njësh, pas thirrjes për protestë Kombëtare ditën e djeshme.

Studentët kanë dhënë arsyet se pse lejuan sot që atyre t’i bashkohen dhe banorët e Astirit, pavarësisht se ditë më parë në një fare mënyre ata i “përzunë”.

Të rinjtë shprehen se për sa kohë që nuk ka përfaqësues të partive, apo qytetarët nuk protestojnë me ngjyrime politike, atëherë të gjithë kanë të drejtën t’u bashkohen.

“Protesta do të vijojë, ne do qëndrojmë këtu. Sot i lamë të na bashkohen banorët e Astirit se pavarësisht se kauzës së tyre i është bashkuar PD, nuk po vijnë me përfaqësues politikë, por janë këtu si qytetarë të thjeshtë që ngrenë shqetësimet e tyre ndaj qeverisë. Ne ende nuk kemi një plan për ditën e nesërme, pasi gjithmonë e kemi planifikuar një ditë më parë se çfarë do të bëjmë. Protesta edhe mundet të përshkallëzojë, megjithatë s’kemi një plan konkret. Sot protesta ka qenë kombëtare,” tha një student për BalkanWeb.

11:00 –  Ka nisur protesta e studentëve në ditën e 11 të saj. Sot protesta ka nisur pak më vonë për shkak të motit të keq.

Në protestë janë bashkuar edhe qytetarë, por edhe banorët e Unazës së Re.

Disa ditë më parë banorët nuk janë lejuar që të bashkohen me studentët, pasi protesta e atyre është kthyer dhe në politike, ndërsa studentët kanë vendosur ta mbajnë “të pastër” nga politika protestën e tyre.

Banorët e Unazës së Re u priten me duartrokitje dhe ovacione nga studentet. Ata sot nuk po vijnë vetëm për shtëpitë që do prishen si pasojë e projektit të Unazës, por dhe si prindër të fëmijëve që dërgojnë në universitet, raporton për BalkanWeb nga vendngjarja gazetarja Klodiana Lala.

09:00 – Studentët vijojnë të sfidojnë reshjet e shiut para godinës së kryeministrisë. Sot është dita e 11 që ata do të kërkojnë me ngulm plotësimin e pikave të adresuara me shkresë zyrtare tek kryeministria.

Studentët vijojnë të jenë të vendosur se nuk do të ketë asnjë dialog dhe negociata me shefin e ekzekutivit pa i plotësuar më parë të 8 pikat, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga kryeministri.

Gjatë ditës së sotme është theksuar se protesta e studentëve do të jetë mbarëkombëtare dhe për këtë, gazetari Erjon Skëndaj  tregoi  dje për BalkanWeb disa skenarë të mundshëm se ku mund të protestohet dhe si do të jetë numri i tyre.

(e.f/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: