DURRËS- Një emigrant i kthyer nga Italia në vendlindje ka protestuar sot në një formë të pazakontë për amortizimin e rrugës. Emigranti Gesti Sinjoni nga Xhafzotaj, i kthyer 2 javë më parë nga Italia me familjen ka protestuar individualisht duke bllokuar me vazo lulesh dhe kosha plehrash rrugën Durrës- Shijak për disa minuta.

durres emigranti proteston 1

Shkak për protestën siç thotë dhe ai vetë është amortizimi i tejskajshëm i këtij segmenti. Rruga është e gjitha me gropa, tejet e dëmtuar. Gazetarja Klodjana Haxhiaj, e cila ka siguruar dhe videon, raporton për “BalkanWeb” se për disa minuta trafiku në këtë rrugë u bllokua, ndërsa policia ka ndërhyrë për ta larguar.

durres-emigranti-proteston-ok

Emigranti iu ka kërkuar policëve ta lejojnë të protestojë në këtë formë, sepse sipas tij, kjo rrugë nuk preket me dorë prej 20 vitesh.

Në shenjë solidariteti me kërkesat e tij, protestës iu bashkuan shoferët dhe banorët që u bllokuan në trafik duke i dhënë të drejtë.

Emigranti: Na lër o burrë të protestojmë, po bën 20 vjet kjo rrugë.
Policia: Bëje me procedurë.
Emigranti: Kam ardhur prej Italie nuk di asnjë procedurë. Na lër të protestojmë. Ka 20 vjet kjo rrugë që nuk bëhet.
Policia: Bëj kërkesë protesto. Nuk lejohet… kjo është e paligjshme.
Emigranti: Ta marrë vesh gjithë dynjaja. Nuk shtrojnë një rrugë për 20 vjet. Të shkojmë në punë. Le të vijnë qeveritarët ja q*** nënën, ta shohin.
Banorët: Këtij hallall ja bëftë Zoti, po qenka vetëm.
Emigranti: Të gjithë ikin, asnjë s’ka b*** të bëjë protestë, të gjithë ikin.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: