TIRANE- Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea e quajti një bllokim të stimuluar të trafikut protestën e sotme opozitare. Sipas saj, ndalja e disa makinave bllokoi trafikun dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të tjerë me makinat e tyre.

“Bllokimi i stimuluar i trafikut sot është produkt i një politike të vjetër antiqytetare dhe anti demokratike. Kush e quan ndryshe duke e paraqitur si protestë demokratike, gabon. Sepse është fare e qartë se sado pak mjete të ndalen, ndalimi i tyre e bllokon krejt trafikun. Dhe ky bllokim nuk shpreh aspak opinionin e të gjithë atyre që janë ndalur, por cenon drejtpërdrejt lirinë dhe të drejtën e kujtdo ndër ta që nuk është në rrugë për të protestuar, po për arsye të tjera nga më të ndryshmet. PD është në të drejtën e sajë të protestojë dhe organizojë protesta kundër çdo vendimi apo veprimi të qeverisë. Por nuk është në të drejtën e sa të detyrojë qytetarët që nuk mendojnë siç mendon PD që të bëhen numërorët e PD duke u vënë me zor në rreshtin e makinave të ndaluara. Për më tepër, PD dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të cenojë sigurinë e lëvizjes në rrugë qoftë për ndihmë e shpejtë, qoftë për forcat e rendit”, tha ajo.

Gjebrea shtoi më tej se, “Urojmë shumë që kjo e sotmja të mbetet vetëm një lajthitje dhe të mos përsëritet në dëm të lirisë e të së drejtës së njerëzve që dalin në rrugë me makinë për nevojat e punës dhe drejtës së tyre të përditshme”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: