Protesta e Bërxullës ku banorët e zonës kërkojnë prej muajsh shpronësimin e drejtë sipas tyre të pronave që preken nga projekti i aksit Thumanë-Kashar ka nisur si çdo fundjavë edhe sot.

Këtë herë aksioni i tyre ka nisur menjëherë duke mos i kushtuar kohë as mikrofonave të mediave si zakonisht, por duke bllokuar menjëherë rrugën së bashku me fëmijët e tyre.

Sakaq efektivët e policisë kanë rrethuar banorët ndërsa u kanë kërkuar që të lirojnë rrugën vazhdimisht, edhe pse ata kanë refuzuar kategorikisht.

“Këtë projekt rruge nuk e ka as AZHK as ARRSH, ato i hedhin topin njëra-tjetrës. Ku duhet të shkoj unë të kërkoj, rruga është pa projekt. Aktualisht që flasim është muaji i 6-të i protestës. Nuk është caktuar asgjë. Ne po sillemi njerëzisht dhe me edukatë në protestën tonë, ndërsa shteti bën sehir. Pse u ndryshua VKM për portin e Durrësit, për banorët e Bërxullës nuk ndryshon?

Do ta bllokojmë gjithë aksin, le të kalojnë nga Vora njerëzit. Ku del ky çmim 4 euro për tokën, kontrata e fundit ka qenë 52 euro për metër, e thotë ligji, nuk kam pse t’i drejtohem gjyqit. Shteti ka gjithë mundësinë ta zgjidhë këtë dhe nuk lëviz. Është çmenduri, nuk mund ta lejojmë. Ne do e përshkallëzojmë protestën çdo ditë, jo një herë në javë” deklaroi një prej banorëve.

“Nuk do lejojmë asnjë fadromë që të vijë në tokët tona. Shteti nuk do t’ia dojë për ne që kemi 6 muaj në rrugë. Kemi kaq kohë që nuk na zë gjumi natën. Na është sosur durimi, nuk vjen as ministria e Bujqësisë, as e Infrastrukturës, as Belinda nuk vjen të pyesë”, u shpreh një prej protestueseve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb