Tre persona u vranë në Gambia ndërsa qindra të tjerë dolën në rrugë duke kërkuar dorëheqjen e Presidentit Adama Barrow i cili dëshiron të zgjasë mandatin e tij.

Policia gjuajti gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që u përgjigjën duke hedhur gurë, njoftoi agjensia e lajmeve AFP.

“Unë mund të konfirmoj se ka pasur tre të vdekur,” tha Kebba Manneh, drejtori i spitalit Serrekunda, ku u morën viktimat.

Këto ishin vdekjet e para që nga shpërthimi i protestave muaj më parë në vendin e vogël të Afrikës Perëndimore kundër Barrow, i cili u zotua në fund të 2016 të tërhiqej pas tre vjetësh në detyrë.

Manneh u tha gazetarëve se shumë të tjerët ndodhen në spital të cilët po trajtohen për thithje të gazit.

“Ushtria ka qenë e vendosur dhe forcat e sigurisë po arrestojnë njerëz. Ata janë në rrugë duke qëlluar mbi protestuesit, të mbështetur nga ushtria,” tha Nicolas Haque i Al Jazeera, duke raportuar nga Dakar, Senegal.

“Disa radio janë mbyllur dhe gazetarët janë arrestuar,” tha Haque.

 

Zemërimi kundër Barrow

 

Demonstruesit janë të zemëruar që Barrow e hodhi poshtë premtimin.

Marrëveshja përcaktonte që Barrow të jepte dorëheqjen pas tre vjetësh në detyrë, dy vjet përpara përfundimit të mandatit të tij presidencial.

“Askush nuk mund të më detyrojë të largohem nga Presidenca para 2021”, tha ai kohët e fundit.

Haque tha se Barrow është nën presion nga njerëzit që e shohin sundimin e tij si autoritar.

Barrow mori përsipër presidencën në Janar 2017 nga udhëheqësi Jahja Jammeh, i cili sundoi vendin me grusht të hekurt për 22 vjet dhe tani jeton në mërgim në Guinea Ekuatoriale.

Kohët e fundit ai njoftoi planet për t’u kthyer në vendin e Afrikës Perëndimore.

 

(A.A BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb