PRISHTINË – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka dënuar me forcë aktet vandale që kanë ndodhur sot në Prishtinë, pas protestës së organizuar nga Lëvizja “Vetëndosje” me parullat: Jabllanoviç jashtë! Trepça është e jona!”

Në një deklaratë për mediat, Jahjaga është shprehur se protesta e sotme në Prishtinë është një e drejtë demokratike e qytetarëve të Kosovës. “Megjithëkëtë, dënoj ashpër aktet vandale të një grupi të vogël protestuesish ndaj pronës publike dhe private të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe kërkoj që organizatorët e protestës të distancohen nga turmat që po sulmojnë Policinë e Kosovës dhe po dëmtojnë institucionet e Kosovës e bizneset në qytet.

E drejta për të protestuar është e drejtë e pamohueshme që garantohet dhe ushtrohet në çdo demokraci, por atë e përcjellë edhe përgjegjësia për të ruajtur rendin publik dhe pronën e ndërtuar me shumë sakrificë, djersë e mund nga qytetarët e Kosovës, – tha Presidentja, duke kërkuar në fund nga palët “qetësi dhe demonstrim te pjekurisë politike dhe shoqërore.”

PROTESTA E THIRRUR NGA “VETEVENDJA”

Lëvizja Vetëvendosje njoftoi dy ditë më parë qytetarët të mblidhen në një protestë për të kërkuar shkarkimin e Ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jablanoviç dhe mbrojtjen e pasurisë kombëtare, kompleksit “Trepça”.

“Shteti dhe Republika e Kosovës nuk mund të zhvillohet sa kohë Qeveria e Kosovës mbetet peng e njerëzve që marrin direktiva nga Beogradi, – thuhej në njoftimin e VV. – Jabllanoviçi dhe Lista Serbe shtiren sikur nuk e dinë që ka pasur krime dhe masakra në Kosovë. Sulmin mbi historinë tonë Serbia e vazhdon edhe me sulme mbi ekonominë tonë, me ç’rast duan ta copëtojnë Trepçën, për ta varfëruar edhe më tej vendin. Të bashkohemi në këtë protestë deri në realizimin e kërkesave të përbashkëta: Jabllanoviç jashtë! Trepça është e jona,” – thuhet në përfundim të thirrjes për protestë.

Ministri serb Aleksandar Jablanoviç (në foto)i Qeverisë së Kosovës, ka deklaruar pak ditë më parë se “është pjesë e marrëveshjes së koalicionit qeveritar, që çështjet si kjo e Trepçës të zgjidhen edhe me pajtimin e palës serbe. Qëllimi jonë është që Trepça të punojë edhe më mirë se sa punon tani dhe jo t’i ndryshohet pronësia në mënyrë të njëanshme”.

(ar.sh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb