TIRANË

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar përmes një deklarate shpërndarë mediave lidhur me protestën kundër vendimit për rastin “Monstra” në Shkup. Për PDIU-në, ndalimi, arrestimi dhe keqtrajtimi i protestuesve nuk është asfare shenjë e forcimit të bashkëjetesës dhe kohezionit ndëretnik në Maqedoninë e Veriut, ndërsa thekson se e drejta për tubim dhe protestë paqësore janë elementë thelbësorë në një demokraci.

“Pavarësisht se organizatorët ishin shprehur qartë për të protestuar paqësisht dhe kishin marrë lejet e nevojshme nga autoritetet, policia e Maqedonisë së Veriut i pengoi ata në shprehjen e mendimit të lirë dhe ushtrimin e së drejtës për të protestuar.

Intimidimi i qytetarëve shqiptarë për të shuar zërin e protestës, u vu re qartë në praninë e madhe dhe të pajustifikuar policore dhe provokimet e tyre, ç’ka shkaktoi edhe percipitimin e situatës dhe dëmtimin dhe arrestimin e disa qytetarëve.

E drejta për tubim dhe protestë paqësore janë elementë thelbësorë në një demokraci. Për PDIU-në, ndalimi, arrestimi dhe keqtrajtimi i protestuesve nuk është asfare shenjë e forcimit të bashkëjetesës dhe kohezionit ndëretnik në Maqedoninë e Veriut.

Ne mendojmë se për të afruar komunitetet, ndaluar diskriminimin mbi baza etnike dhe stimuluar pjesëmarrjen në proceset demokratike, duhet më së pari vullnet politik. Ndaj, i bëjmë thirrje autoriteteve maqedonase të lirojnë të arrestuarit dhe të lejojnë qytetarët të shprehin mendimet e tyre lirisht. I bashkohemi thirrjes së partive opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut për përfshirjen e faktorit ndërkombëtar për të ndihmuar në zbardhjen e rastit “Monstra”.”- theksohet në deklaratën e PDIU-së.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb