TIRANË

Pas protestës së katërt kombëtare, opozita e bashkuar edhe këtë të hënë do të dalë në rrugë në orën 18:30 për të kundërshtuar qeverinë Rama. Protesta e së shtunës, e cila u shpërnda në tre fronte u shoqërua më dhunë, gaz lotsjellës, përplasje fizike, por nuk munguan as arrestimet e qytetarëve, të cilët akuzohen për dhunë ndaj forcave policore dhe prishje të rendit dhe sigurisë publike.

Momenti i cili i dha orë shtesë protestës së opozitës dy ditë më parë ishte pikërisht dhunimi i sekretarit Organizativ i Partisë Demokratike, Sahit Dollapi nga FNSH-ja, ngjarje kjo e ndodhur para godinës së Kuvendit.

Lideri demokrat, Lulzim Basha theksoi ditën e djeshme para drejtorisë së Policisë së Tiranës se qytetarët shqiptarë do t’i përgjigjen në mënyrë porporcionale dhunës  së ushtruar nga Policia, ndërsa sipas tij, ajo u porosit nga shefi i ekzekutivit Edi Rama. Protesta e sotme e opozitës është e pesta në nivel kombëtar, ndërsa thirrjet për largimin e Ramës kanë qenë kryefjala e brohoritjeve nga qytetarët në shesh para godinës së kryeministrisë.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama teksa foli dje në konferencë me gazetarë për protestën, i bëri edhe një mesazh liderit demokrat që të tërhiqet  nga rruga ku është futur dhe të nisë dialogun, por jo për të negociuar mandatin e qeverisë.

Ai tha se qeveria nuk do të rrëzohet pasi është produkt legjitim i qytetarëve shqiptarë, e formuar përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Ende nuk dihet se si do të veprojë opozita dhe sa orë do të zgjasë kjo protestë, e cila u lajmërua në orët e para të mëngjesit të së dielës për sot në orën 18:30.

Policia e Shtetit njoftoi zyrtarisht se për protestën e opozitës janë proceduar gjithsej 84 persona, ndër ta, 50 përfunduan në pranga. Nga përplasjet me Policinë dhe qytetarët mbetën të plagosur 19 persona, ndërsa spitali i Traumës  njoftoi dje se në mesin e të plagosurve ishin 14 policë, 4 qytetarë dhe një operator.

Spoti i protestës së sotme:

“Asgjë nuk i ndal shqiptarët që luftojnë për liri, për standardet europiane. Shpresa është ndezur! Pushteti i krimit nuk e fik dot më, sot jemi më të fortë se kurrë. Asnjë hap pas kundër krimit kundër dhunës për Shqipërinë si gjithë europa.”-shkruhet në spotin e publikuar, duke i drejtuar në këtë mënyrë një mesazh qytetarëve të jenë të pranishëm.

(n.m/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb