NGA: Klodjana Haxhiaj*

DURRËS- “Më kanë kërcënuar, ndaj kam dhënë dorëheqjen nga shpërndarja e metadonit. Këtë e di Policia e Rendit. Janë 96 persona që trajtohen me metadon, por vetëm unë e një infermiere shërbejmë”. Kështu deklaroi mjeku toksikolog, Gazmir Demiri për News24 dhe BalkanWeb, pas protestës së ish-përdoruesve të drogës, për mungesë të metadonit.

Ndër të tjera si shtoi se nuk ka mungesë të këtij medikamenti, i cili është i nevojshëm për persona që kanë lënë drogën.

“Nuk e përballoj dot më këtë punë, pasi jemi një ekip prej dy vetash. Kam dhënë dorëheqjen, sepse nuk merresha dot me ta. Ndaj është e gjithë kjo situatë, por metadon ka. Duhet thënë se 10 a 12 nga ata që marrin metadon janë agresivë. Shpeshherë na kanë kërcënuar dhe janë të rrezikshëm. Kemi thirrur policinë disa herë, në qendrën e shpërndarjes së metadonit.”, deklaron mjeku Demiri.

SITUATA
Si për çdo ditë, rreth orës 13:00 deri në 14:00 në qendrën e Shpërndarjes së Metadonit, ku merret dhe shërbimi i medikamenti, paraqiten nga 150-200 persona, të cilët janë në luftë për të lënë lëndën narkotike. Në një dhomë ku mungon infrastruktura, e cila i ngjan një ‘foleje narkomanësh’, këta persona marrin metadonin e holluar. Dikush shkon aty për bashkëshortin, e dikush për fëmijën. E njëjta situatë u përsërit dhe ditën e sotme, por vonesa e ekipit mjekësor bëri që turma të irritohej dhe të shfaqnin agresivitet.

Mbi 50 persona që trajtohen me këtë medikament kanë akuzuar sërish sot ekipin mjekësor se bëjnë tregti me metadonin, duke mos ua shpërndarë atyre që kanë nevojë. Madje ata shkojnë më tej, duke akuzuar stafin e kësaj qendre se u kanë kërkuar nga 20 mijë lekë në muaj pagesë, ndërkohë që metadoni është falas në të gjithë botën.

Sakaq, dy ditë më parë, mjeku dhe infermierja që janë ngarkuar me shpërndarjen e metadonin, nuk ua shpërndan, ashtu si për çdo ditë personave që marrin këtë medikament, duke i detyruar këta të fundit të hidhen në protestë. Dje, rreth ish-përdorues të lëndëve narkotike protestuan para Drejtorisë së Policisë së Durrësit. Fill pas kësaj situate, nën mbikëqyrjen e forcave policore u bë e mundur shpërndarja e metadonit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: