Qytetarët kanë paralajmëruar një tjetër protestë të shtunën e 19 marsit, që do të nisë nga Sheshi Skënderbej e më pas do të drejtohen për në kryeministri. Një përfaqësuese e protestës, tregoi se si do të bëhet organizimi.

Ajo tregoi se qeveria ka reaguar, por jo se ata kanë dashur. Sipas saj, nëse qeveria nuk pranon kërkesat e qytetarëve, protestat do të vijojnë pambarimisht.

“Të nderuar përfaqësues të mediave, dua t’ju falenderoj për prezencën tuaj. Të nderuar bashkëqytetar. Për mëse 1 javë kemi protestuar të gjithë së bashku për të kërkuar masa për përballimin e çmimeve. Pas ditës së parë të protestës pamë që qëndrimi i qeverisë ndryshoi, nga qëndrimi që qeveria nuk ndërhyn, qëndrimi ndryshoi në qeveria ka gati paketën e masave. Me vijimin e protestave u ndryshua qëndrimi dhe u ulën çmimet e karburantit. Më pas qeveria ndërhyri sërish duke ulur çmimin e produkteve ushqimore. Qeveria bëri detyrën e saj për kontroll të çmimeve. Janë shpallur për 3 javë paketa anti-krizë. A janë këto masa të mjaftueshme?

Jo, ata s’janë të mjaftueshme për përballimin e krizës. Nuk ka garanci që çmimet do të jenë të ulëta në vazhdimësi. Paketa për njerëzit në nevojë është minimale. Kërkesa dhe propozimet tona të përpiluar me ndihmën e grupeve të interesit, janë përpiluar që të garantohet mirëfunksionimi i tregut. Këtë të shtunë, 19 mars të gjithë qytetarët do të jenë në protestë sërish dhe do të marshojnë nga Sheshi Skënderbej drejt kryeministrisë. Kjo është protestë e qytetarëve dhe ne nuk do të rreshtim deri në përballimin e krizës. Protestat nuk do të ndalen derisa qytetarët të trajtohen me respekt nga qeveria e tyre”, tha përfaqësuesja.

Deklaratave të kryeministrit Edi Rama se protesta është pro-ruse, përfaqësuesja iu përgjigj:

“Për shumicën e qytetarëve ka qenë e qartë që ka qenë një përralle e kryeministrit. Kjo është një protestë qytetare”.

Ajo tregoi mët ej se si do të vijohet me protestën.

“Do të ketë marshim nga Sheshi Skënderbej drejt kryeministrisë e më pas do të vendoset se si do të vijohet. Deri më tani qeveria ka reaguar, megjithatë duke e krahasuar me reagimin fillestar, shpresojmë që të reagojë më tej. Një nga skenarët është përshkallëzimi e ne këtë do të bëjmë. Protestat do të vijojnë pa ndërprerje”, tha përfaqësuesja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb