TIRANË

Analisti Fatos Lubonja i është bashkuar protestës së banorëve të “5 majit” kundër shembjes së banesave të tyre. Analisti e cilësoi një projekt kriminal dhe theksoi se qeveria iu ka vënë rruspat banorëve për t’i hapur rrugë lavatriceve të pastrimit të parave.

“Këtu është e qartë që gjithë këto shtëpi janë ndërtuar me mundim të gjatë, me djersë. Ca thonë janë zaptuar toka, po këtu është një djersë njerëzore e një jete. Ky projekti është një projekt kriminal që kërkon të pastrojë paratë e pista të njerëzve të krimit, por qeveria është qeveria e krimit prandaj ju ka vënë ju ruspat për t’i hapur rrugën lavatriçeve të parave. Është një problem i gjerë që përfshin gjithë Shqipërinë, ju jeni një pjesë.
Thotë një fjalë e vjetër popullore, ‘çfarë sheh në kodër, prite në votër’. Me sa e shoh unë këtë punë, kjo bandë kriminale, fiton me lote, punon me të hangër pak e nga pak. Shumë njerëz që e shohin në kodër, thonë s’po më vjen në votër”, deklaroi Lubonja.

Ai deklaroi më tej se duhet të jemi këtu me mbrojtur këtë shoqëri, që po e ha kjo bandë. “Duhet me i thënë ‘ndal’ kësaj”, ishte thirrja e Lubonjës.

Banorët deklaruan se nga ana e shtetit nuk ka asnjë argument për t’u përballur me ta për shembjen e shtëpive dhe se gjithçka është e kundraligjshme.

“Për sa kohë ato heshtin e pranojnë që ne kemi të drejtë dhe gabim janë ata. Caktojnë një datë, nuk është pa qëllim se kemi një mega aferë, inceneratorët. Duhet të japin llogari si e kanë marrë vendimin, ku janë bazuar, si është procesi i vendimmarrjes. Kjo gjë nuk ka ndodhur, është thjesht e kundraligjshme.

Plani është miratuar gjatë pandemisë, 3 prill 2020 dhe doli për publikun 2 javë përpara. U desh 2 vjet që të bëhej transparent një plan i miratuar në 2020. Ne nuk dimë asgjë, se si e kanë marrë vendimin”, thanë banorët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb