ELBASAN- Edhe pse Bashkia e Elbasanit pas protestave të vazhdueshme të nxënësve dhe banorëve të fshatit Mengël të Njësisë Administrative Labinot Fushë njoftoi fillimin e rikonstruksionit të pjesshëm të godinës së shkollës 9-vjeçare të këtij fshati protesta nuk është ndalur.

Nxënës e prindër janë shprehur të vendosur në vazhdimin e protestave dhe të bojkotimit të mësimit. Protestuesit sërish kanë tentuar të shqyejnë derën por forcat “Shqiponja” kanë bllokuar hyrjen deri në mbyllje të protestës e cila është mbyllur pa incidente.

Ndërkohë që nga fillimi i këtyre protestave dera e shkollës së Mengëlit është “thyer” dy herë nga protestuesit. Por këtë fillimjavë ndërsa pritej kthimi i normalitetit pasi bashkia Elbasan ka marrë vendimin që të kryejë rikonstruksion të pjesshëm të godinës së shkollës nxënësit dhe prindërit vijuan protestën.

Ata shfaqin mosbesim për finalizimin e vendimit të marrë pas presionit të tyre për rihapjen e shkollës pas një rikonstruksioni të menjëhershëm edhe pse drejtoresha e kësaj shkolle i ka garantuar se ajo do të jetë gati për 2-3 javë. Ajo u ka kërkuar prindërve të nxënësve dërgimin e fëmijëve në shkollë, por prindërit kanë vendosur si kusht të panegociushëm nisjen e punimeve.

Ata janë të vendosur në kërkesat e tyre për rihapjen e shkollës të mbyllur për interesa jo për hir të pasigurisë për jetën e nxënësve të saj. Madje nuk munguan as batutat se nëse bashkia është e varfër ata si komunitetet janë të gatshëm të paguajnë vetëm që shkolla të rikonstruktohet dhe të rihapet për nxënësit.

Prej ditësh nxënësit dhe banorët në formë proteste kanë bllokuar për disa minuta disa herë gjatë javës së shkuar edhe aksin e rrugës kombëtare Elbasan-Librazhd.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb