TIRANE

Për të dytën herë radhazi brenda pak ditësh, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me banorët e zonës së ‘Astirit’, banesat e të cilëve preken nga ndërtimi i ‘Unazës së Re’.

Lideri i PD-së shkoi pranë banorëve ku zhvilloi me ta një bashkëbisedim, ndërsa nuk kurseu sulmet për qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës.

Gjatë fjalës së tij para mediave, Basha tha se gjatë këtyre ditëve pas hetimeve që kreu opozita u konstatuan disa shkelje ligjore. Ai tha se projekti ishte i paligjshëm, ndërsa shtoi se nuk ka pasur garë për të. po ashtu kryedemokrati Basha, teksa u ngacmua nga gazetarët për deklaratën e kryebashkiakut Erion Veliaj se deputetët e PD ishin shpellarë, ai tha se; “S’merrem me një njeri që e ka shpirtin më te zi se plehrat e Sharrës”.

“Arsyeja e këtij takimi ishte për të biseduar për disa fakte tronditëse. E vetmja gjë e ligjshme që po ndodh këtu është; rezistenca e banorëve. Rezistenca e tyre mbështetet në Kushtetutë. Pas një hetimi disaditor disa fakte dolën në dritë. Projekti është i paligjshëm. Një inxhinieri i ka lindur në zemër të bëjë dhuratë një projekt të kësaj unaze dhe e ka paraqitur me një projekt si autostradë dhe jo si projekt i një rruge qyteti. E dyta është skema korruptive pa ko konkurrencë. 40 mln euro pa garë. Projekti është i paligjshëm, pasi që të krijohet një projekt i tillë ai duhet të miratohet nga pushteti vendor”, tha Basha

” 1 – kemi të bëjmë me nje propozim fanatzëm; 2- I projektuar në kushte antiligjore; 3- Pa leje bashkiake.

Po edhe sikur asnjë nga këto të mos qëndronte edhe sikur nesër projekti të përshtatej, unaza ka të tjera prioritete për të ndërtuar, pasi ky është segmenti i parë i ndërtuar

“Kam këtu dy vendime të Këshillit të Mnistrave një i 2011 dhe nje i 2012. I pari përcakton se të gjithë ata që janë në proces legalizimi në rast të ndërtimeve publike do të shpronësohen me vlerën e tregut.VKM e dytë e 2012 thotë se pavarësisht nëse ka përfunduar apo jo procesi i legalizimit, banorët trajtohen njësoj si të ishin të legalizuar.- u shpreh Basha ndërsa shtoi se precedenti ligjor është i qartë zbatimi i ligjit nuk lë rrugë tjetër vec respektimit për cdo centimetër dhe dëmshpërblimit në para para se të lëvizë lopata e parë, banorët të marrin paratë në banka.“

Basha iu kthye deklaratave për Teatrin Kombëtar kur tha se e ‘kam thënë është vijë e kuqe, por shtëpitë te unaza e re, janë dy herë vija e kuqe, për kryeministrin.’

“Kam thënë po u prish teatri nesër do prishen shtëpitë e shqiptarëve. Nuk ka pritur ky kryeministër që cdo gjë e bën të paligjshme. Ashtu si Teatri eshtë vijë e kuqe, këtu eshtë dy herë vije e kuqe. Banorët kanë të drejtë të mbrojnë pronën e tyre dhe PD do të jetë krah tyre.”- tha ndër të tjera kryedemokrati.

Në vijim Basha sulmoi Prokurorinë për të cilën tha se nëse do të funksiononte si duhet sot do të kishte nisur hetimet për 5 vepra penale.

“Nëse do kishim prokurori sot ajo do kishte vepruar, nga zyrtarët e ARRSH, te Ministria e Transportit te Kryeministria do ishin për ndjekje penale, dhe po të lëviznin gishtin më shumë do ishin në burg. Por ne nuk kemi drejtësi gjithcka është në dorën kriminale të kryeministrit” u shpreh Basha

Kryedemokrati apeloi shqiptarët, t’i bashkohen banorëve protestës së banorëve të Unaza e Re.

“Në kushtet e shembjes së shtetit ligjor, keta qytetar kanë të drejtë të bëjnë gjithcka për të mbrojtur shtepitë e tyre” – përfundoi kryedemokrati fjalën e tij.

Kujtojmë se prej ditësh banorët protestojnë dhe në shenjë kundërshtie ndaj vendimit të qeverisë kanë bllokuar edhe rrugën. Ata kërkojnë që të dëmshpërblehen 100%, ndërsa shprehen të bindur se kësaj çështje do t’i shkojnë deri në fund.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb