Deputetja e Partisë Demokratike, Ilda Dhori nga protesta e banorëve të Divjakës, i dha një mesazh të qartë ministres së Mjedisit, Mirela Kumbaro, se kjo e fundit duhet të hiqte dorë nga vendimi për vendosjen e traut që të çon drejt parkut.

Teksa marshonte përkrah banorëve të zonës, Dhori tha se nuk do të lejohet të vendoset as trau dhe as të ketë tarifë, pasi bëhet fjalë për dinjitetin e qytetarëve që iu hiqet e drejta e shfrytëzimit të bukurive natyrore të parkut të Karavastasë.

“Jemi pro për këtë kauzë, kundër bllokimit të hyrjes në park dhe kundër hyrjes në plazhin e Divjakës. Është kauzë jo vetëm për Divjakën, por edhe për gjithë shqiptarët. Kjo është protestë pa ngjyrime politike, por për të gjithë shqiptarët. Kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me ministren, por kur doja ta ngrija këtë kauzë në Kuvend, ministrja kishte ikur. S’ka asnjë koment apo argument për këtë shkelje, arbitraritet që po i bëhet këtyre njerëzve, të punës dhe që shohin vendin e tyre. Po i shkelet dinjiteti. Nuk flitet për tarifën, pasi nuk do të ketë as të ulët as të lartë, këtë ta dijë mirë zonja Kumbaro. Ne flasim për dinjitetin e qytetarëve, të cilët do të lëvizin lirisht në parkun e tyre.”, tha Dhori.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb