Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka informuar aleatët e koalicionit se ai synon të pezullojë reformën në drejtësi. Këtë e ka bërë të ditur transmetuesi publik Kan. Vendimi vjen pas javësh tensionesh në Izrael, aq sa edhe presidenti Isaac Herzog i kishte kërkuar Netanyahut të ndalonte reformën. Sipas raportimeve, Ministri i Drejtësisë Yariv Gideon Levin e kuptoi dhe pranoi se “nuk ka zgjidhje tjetër”.

Ndërsa ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, një nga anëtarët e djathtë të kabinetit, ka paralajmëruar dorëheqjen, por ka siguruar se do të mbështesë ekzekutivin nga jashtë. Bezalel Smotrich, ministër i Financave dhe lider i sionizmit fetar, tha se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga reforma në drejtësi. “Ne nuk duhet të ndalojmë reformën për asnjë arsye. Ne jemi shumica. Nuk duhet t’i dorëzohemi dhunës, anarkisë, grevave të egra, mosbindjes.”, -tha ai në Twitter.

Ndërkohë, lëvizjet radikale të krahut të djathtë po organizojnë gjithashtu një demonstratë, ndërsa do të jetë në mbështetje të qeverisë Netanyahu. Protesta do të zhvillohet në mbrëmje në Jeruzalem, përballë selisë së Gjykatës së Lartë. Protestës i është bashkuar edhe grupi ‘La Familia’, klubi ultras i mbështetësve të ekipit të futbollit Betar Jerusalem.

Qëndrimet brenda qeverisë
Të paktën tre ministra të Likud, partisë së drejtuar nga Netanyahu, kanë deklaruar tashmë mbështetjen e tyre për kreun e qeverisë nëse ai vendos të pezullojë reformën në drejtësi. I pari që e bëri këtë ishte ministri i Kulturës dhe Sportit, Miki Zohar, i cili deklaroi se do të paguajnë “çmim të shtrenjtë” për dështimin e masës, duke shprehur gjithashtu nevojën për të mbështetur kryeministrin nëse “ai vendos të ndalojë reformën për të shmangur kaosin”. Itamar Ben Gvir, lideri i partisë së ekstremit të djathtë Jude Poëer dhe Ministër për Sigurinë Kombëtare, kërcënoi Benyamin Netanyahu se do të rrëzojë menjëherë qeverinë nëse kryeministri vendos të ndalojë reformën në drejtësi.

Protesta
Dhjetëra mijëra izraelitë mbushën rrugët e qyteteve anembanë vendit të dielën në mbrëmje, në një shfaqje spontane indinjate pasi kryeministri Benjamin Netanjahu shkarkoi befasisht ministrin e tij të Mbrojtjes pasi ai sfidoi planin e udhëheqësit izraelit për reformën e gjyqësorit.

Protestuesit në Tel Aviv bllokuan një autostradë kryesore dhe ndezën zjarre të mëdha, ndërsa policia u përlesh me protestuesit që u mblodhën para shtëpisë së zotit Netanjahu në Jeruzalem dhe në një moment të caktuar thyen kordonin e sigurisë.

Trazirat thelluan një krizë disamujore mbi planin e kryeministrit Netanjahu për të bërë ndryshime të thella në sistemin gjyqësor, gjë që ka shkaktuar protesta masive, ka alarmuar udhëheqësit e biznesit dhe ish-krerët e sigurisë dhe ka ngjallur shqetësime tek Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të ngushtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: