HONG KONG

Në Hong Kong policia përdori të dielën gazin lotsjellës për të shtypur protestën – mijëra njerëz kishin dalë nëpër rrugë në mesin e nxehtësisë për të protestuar kundër një projektligji të diskutueshëm që do të lejonte ekstradimin e shtetasve të Hong Kongut të dyshuar për krime në Kinën kontinentale.

Demonstruesit e veshur me të zeza mbanin parrulla, ku shkruhej – “Hetime të Pavarura për Sundimin e Ligjit”. Miliona vetë janë mbledhur gjatë dy muajve të fundit në një shfaqje të pashembullt të forcës kundër udhëheqëses së Hong Kongut, Carrie Lam. Këto janë trazirat më të rënda sociale për ish-koloninë britanike që nga koha kur u kthye nën kontrollin e Kinës 22 vite më parë.

Carrie Lam ka kërkuar falje për trazirat e shkaktuara nga ligji i ekstradimit dhe e anuloi atë. Tashmë demonstratat janë shndërruar në protesta me kërkesa më të gjera për reforma demokratike dhe një hetim ndaj ankesave të protestuesve për sjellje brutale të policisë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb