TIRANE

Në një kohë kur banorët e zonës së ‘Astirit’ prej afro 1 muajsh protestojnë kundër shembjes së banesave të tyre, në kuadër të projektit të ‘Unazës së Re’, kryeministri Edi Rama sjell atë që ai e quan reflektim qytetar. Teksa e cilëson situatën në fjalë ‘ngërç të sajuar artificialisht’, Rama ka publikuar në ‘Facebook’ videon e shembjes së një ndërtimi në këtë zonë, ndërsa aty flet edhe pronari i saj, Ukë Çelkolaj. Ky i fundit pohon se kishte mbajtur fjalën e dhënë ndaj kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj dhe se e kishte prishur vet ndërtimin, pasi është pro projektit.

“I dhashë fjalën kryetarit si burrat, i prisha vet këto. Jam shumë i predispozuar që të zhvillohet Tirana, se po të jetë mirë Tirana do jemi mirë edhe ne të gjithë. S’kemi arsye që të dalin kundra projektit dhe zhvillimit, përderisa kjo është për të mirën e të gjithë komunitetit dhe të gjithë banorëve në Tiranë dhe të gjithë Shqipërisë.”, shprehet qytetari në video.

“MIRËMËNGJES ?
dhe me këtë reflektim qytetar të Ukë Çelkolajt, i cili zgjodhi të kontribuojë për zgjidhjen e ngërçit të sajuar artificialisht tek Unaza e Re, duke dhënë një shembull kuptimplotë për të gjithë bashkëqytetarët e atij komuniteti, ju uroj një ditë të qetë ?”, thuhet në postimin e Ramës.

Kujtojmë se çdo ditë banorët e kësaj zone dalin në protestë dhe në shenjë kundërshtie bllokojnë rrugën, pasi kërkojnë që të dëmshpërblehen 100% për ndërtimet e tyre.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb