TIRANË

Banorët e zonës së “Astirit” në Tiranë kanë dalë sërish në protestë mëngjesin e sotëm duke bllokuar rrugën për rreth një orë. Ata kanë deklaruar se nuk do lejojnë prishjen e banesave deri në marrjen e dëmshpërblimit.


Me pankarta në duar banorët kanë zënë të dyja anët e Unazës së Re, e për këtë arsye është bllokuar totalisht qarkullimi deri në orën 9:00. Bashkë me ta kanë qenë edhe disa deputetë të PD-së.

Prej disa ditësh banorët po protestojnë për të kundërshtuar prishjen e banesave duke kërkuar dhe bisedime me qeverinë.

Banorët shprehen se projekti është zgjeruar dhe prek 490 objekte dhe jo 300 sa thotë qeveria.
Ata thonë se i kanë banesat në proces legalizimi, ndërsa nuk do lejojnë prishjen e tyre.

“Ku të vete me këtë kalama, fëmijët i kam mbajtur këtu. Rrini këtu, mos ikni. Sot më thonë ti na mbajte këtu. Ku ti çoj? Më sorollat qeveria, s’më jep dokumentin, më ka marrë lekët një më një, mos ma nxirrte emrin në gazetë”, tha një grua.

“Ne të na shikojnë, jo ata grekët atje që vijnë e kërkojnë Vorio Epirin në jug të Shqipërisë dhe s’i preku njeri se kanë frikë nga grekët. Për një kriminel ishin mbledhur 3 mijë veta për ne që po na prishin shtëpitë asnjë. Ngrihuni o popull, kërkoni të drejtat tuaja se po iu ikën truri i kokës.
Nuk i prishim shtëpitë, ne do lëmë kokën. O do vrasim njerëz o do lëmë koka njerëz. të bëhen 15 a 30 dëshmorë”, thanë banorët.

(m.k/BalkanWeb)