TIRANE

Sot shënon 74-vjetori i çlirimit të Tiranës nga okupatorët nazistë. Në ceremoninë e organizuar në qendër të kryeqytetit aty ku ngrihet busti i “Ushtarit të panjohur”, në kujtim të luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare për çlirimin e Tiranës, merrnin pjesë kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, zv.ministri i Mbrojtjes Petro Koçi, Prefektja e Qarkut të Tiranës, Suzana Jahollari si dhe shumë qytetarë të Tiranës.

Veliaj gjatë fjalës së tij tha se Tirana është i vetmi vend i Europës Lindore që u vetëçlirua nga okupatorët nazistë pa ndihmën e ushtrisë sovjetike dhe ky është një akt heroik. “Ne sot kemi angazhime të ndryshme nga 74 vite më parë. Ka disa njerëz që e harrojnë historinë, shumë pak kujtohen që Tirana u çlirua pa një ushtri të huaj. Tirana u çlirua falë partizanëve. Kjo na bën krenarë. Megjithatë ka momente për reflektuar”, tha Veliaj.

Duke sjellë në vëmendje ngjarjen e dy ditëve më parë, të protestës së dhunshme para Bashkisë Tiranë, nga banorë, banesat e të cilëve preken nga ndërtimi i “Unazës së Madhe të Tiranës”, kryebashkiaku u bëri apel qytetarëve që të mos lejojnë përçarjen nga politika, ndërsa shtoi se opozita po bojkoton parlamentin për të sabotuar hapjen e negociatave me BE-në.

“Pardje u dogjën goma para bashkisë pas 74 viteve, jo nga pushtuesit apo zaptuesit, por nga ne vetë. Prandaj ky është moment reflektimi. Do kthehemi pas të flemë gjumë? Apo do të përveshim mëngët të përqafojmë njëri tjetrin dhe të mos lejojmë politikanët që të na përçajnë, për të na penguar në këtë rrugëtim. Kjo bëhet për të na sabotuar që ne të mos bëhemi pjesë e BE”,- tha Veliaj.

FJALA E PLOTE
Ka shumë të rinj që thonë pse i mbajmë ne këto rituale. Pse vijmë në të njëjtën orë , në të njëjtën datë për të përkujtuar në të njëjtën vend atë që ndodhi 74 vite më parë. Mos ka kaluar shumë kohë që ne duhet të mbetemi peng I së shkuarës, miqtë e mi në se ne nuk do të kuptojmë nga kemi ardhur, nuk do të gjejmë kurrë se ku do shkojmë. Nëse nuk do të kuptojmë se çfarë bënë paraardhësit tanë, nuk do të dimë se si do të frymëzojmë pasardhësit tan. Ndaj jam sot shumë i lumtur duke filluar nga ata që drejtojnë shtetit tonë, duke filluar nga ata që drejtojnë qeverinë tonë, duke filluar nga gjithë grupi ynë I deputetëve, shefi I shtabit, përfaqësuesit e qeverisë ;por dhe ata që ndoshta janë të panjohur. Në vendin ideal të të panjohurve në atë që quhet partizani i panjohur. Dhe unë në fakt besoj se si Shqipëria është sot si 74 vite më parë, produkt i njerëzve të panjohur, ndoshta që nuk janë shumë të famshëm, por që i shërbejnë vendin tonë me përkushtim, me dashuri, me patriotizëm. Unë e di që sot ne kemi angazhime të ndryshme nga ato që kishim 74 vite më parë. Sot dua t’i jap një përshëndetje të gjithë trupave ushtarake që sot shërbejnë nën flamurin kuq e zi në misione paqeruajtëse dhe sot nga një vend I cili kërkonte që të vendoste paqe Brenda vetes, sot eksporton paqe.

Ka sot të tjerë që po shërbejnë në beteja të ndryshme nga ato 74 vite më parë. E gjithë policia e shtetit, jo vetëm në tiranë por në të gjithë Shqipërinë është përfshirë në një betejë të paprecedentë përpara kundër kriminalitetit. Nëse përpara 74 vitesh kishim beteja me armë, beteja fizike me pushtues, sot do të duhet t’i fitojmë këto beteja civile. Kështu që gjithë kurajo, gjithë besimi, e gjithë dashuria jonë për forcat e Policisë së Shtetit, që nën uniformën e shtetit shqiptar shërbejnë në atë që ësht sot fronti i luftës me të keqen, me kriminalitetin, dhe me gjithë abuzuesit në gjithë territorin e vendit. Keni të gjithë mirënjohjen për uniformën që mbani, nderi që i sillni vendit, dhe shërbimi që ofroni.

Ka të tjerë në uniformë, duke filluar nga policia bashkiake, zjarrfikësit, të gjithë ata që mbajnë stemën e Republikës së Shqipërisë, dhe që luftojnë çdo ditë me të keqën, me vandalizmin, me zjarrin, me nevojat që ne kemi për emergjencat civile. Ne ju jemi shumë mirënjohës, të gjithë atyre që shërbejnë në uniformën e shtetit shqiptar, bashkive, dhe të qyteteve tona. Ka disa njerëz që e harrojnë historinë, shumë pak ndoshta sot kujtohen nga brezi i ri që Tirana është i vetmi kryeqytet në lindje që u çlirua pa trupat sovjetike, që u çlirua pa një ushtri të huaj që ta ndihmonte. Është një akt vetëçlirimi i paprecedent në asnjë kryeqytet tjetër të nahijes tonë, dhe të rajonit tonë. Dhe besoj se me këtë treguam se ne shqiptarët kur organizohemi, pavarësisht se Petro e tha me të drejtë se edhe në atë kohë kishte një minorancë të zhurmshme që tha më mirë bashkëpunojmë me fashizmin sesa luftojmë. Ama shumica morale e Tiranës vendosi që pa pasur nevojë për ushtritë sovjetike të ishim kryeqyteti i vetëm në Europën Lindore që u vetëçlirua falë partizanëve dhe falë inkurajimit, mbështetjes popullore nga qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.

Kjo na bën krenarë. Megjithatë, a ka momente për të reflektuar me atë që po ndodh sot? Hera e parafundit që u dogjën goma përballë bashkisë së Tiranës, në derë të Bashkisë së Tiranës, ishte 17 nëntori i 1944, kur trupat që po largoheshin, dogjën qytetin dhe shkaktuan dëmet e fundit që ata mund t’i bënin Tiranës. Kjo ishte hera e parafundit, se hera e fundit ishte pardje, që u dogjën goma para Bashkisë së Tiranës, pas 74 vitesh, jo nga armiku, jo nga pushtuesi, jo nga zaptuesi, por nga ne vetë. Ndaj them se ky është një moment reflektimi. Sot nuk na rrezikon njeri. Jemi pjesë e NATO-s, gjasat që dikush të na pushtojë, të na pengojë, të na sabotojë janë shumë të vogla nga të huajt, por vetë mund ta bëjmë. Në sot e kemi në dorë dhe të mirën dhe të keqe, në sot e kemi në dorë dhe ta shkatërrojmë dhe ta ndërtojmë Tiranën. Edhe t’i vëmë zjarrin Tiranës, edhe ta bëjmë lule Tiranën. Edhe të modernizohemi, edhe të bëjmë hapa mbrapa. Cili është vendimi ynë sot për Tiranën? Do kthehemi pas, do kthehemi në gjumë, do kthehemi në zjarr, në gurë, në vezë, në dru, apo do përveshim mëngët. Të përqafojmë njëri-tjetrin, të mos lejojmë politikanë që na përçanë kaq vite, të vazhdojnë dhe të mbjellin helm, edhe pse janë të mundur të mbjellin helm për të na përçarë, për të na thyer mes nesh, për të na penguar në këtë rrugëtim.

Unë e di pse bëhet kjo. Nuk bëhet as për lodrat, as për sheshin, as për Pazarin e ri, as për bulevardin, as për Unazën e Re, nuk bëhet për këto. Këto janë beteja kalimtare. Bëhet për të na sabotuar në atë që është ambicia jonë përfundimtare, që ne të bëhemi anëtarë të BE. Nuk e them unë, e thonë gjithë të huajt. Teksa presim që t’ju përqafojmë në qershor dhe të filloni negociatat, si mund të thereni mes jush, si mund të bojkotoni parlamentin, Këshillin bashkiak, si mund të digjni goma, si mund të bojkotoni modernizimin e vendit, si mund të sabotoni njëri-tjetrin, si mund të pretendoni që Europa të mund t’ju fusë me kaq shumë sherr, me kaq shuam mllef. Dhe kë, vendin që u çlirua vetë, ndërkohë që gjithë të tjerët u çliruan me një ushtri tjetër që i ndihmonte. Miqtë e mi është një kryqëzim shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, është një kryqëzim shumë i rëndësishëm për Tiranën, ose do të vazhdojmë drejt Europës dhe nuk do të lejojmë asnjë njeri të na përçajë dhe të na bllokojë, ose do të bëhemi viktima të suksesit tonë, do na marrë sytë e mira, liria që kemi, progresi që po bëjmë dhe do fillojmë të theremi me njëri-tjetrin. Historia në tregon se kur ne shqiptarët bashkohemi, kur ne shqiptarët punojmë, dhe kur ne shqiptarët kemi një synim pozitiv, ne ia dalim.

Po unë jam i bindur që në këtë kryqëzim, Tirana dhe Shqipëria nuk ka kohë për të humbur, nuk ka asnjë moment për t’u përçarë, nuk ka sot asnjë punë që mund ta lërë më vonë për nesër, ndaj dhe unë dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Tiranës dhe t’i ftoj të gjithë të përqafojmë njëri-tjetrin, punën, progresin, të mirën. Vetëm e mira dhe bashkimi e ka çuar këtë vend përpara. Ndodhi përpara 74 vitesh, do të ndodhë sërish jam i sigurt, kur Tirana bashkëpunon për të ecur përpara për mirë.
Lavdi të gjithë dëshmorëve, të njohur e të panjohur, familjeve tiranase që ndihmuan lëvizjen nacional-çlirimtare, atyre që hapën dyert të shtëpisë, të tavolinës, të dhomës së gjumit, të zemrës për të gjithë ata që kishin nevojë për strehim, për veshmbathje, për ushqim, teksa bënë një betejë heroike për të çliruar Tiranën. Tirana nuk ka sot asnjë moment për të humbur, ndaj nga ky moment, nga fundi i kësaj ceremonie rikthehemi në punë, se sot çlirimi i Tiranës kërkon punë. Faleminderit të gjithëve nga zemra.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb