Ministri i Jashtëm i Kubës ka sulmuar Bashkimin Evropian pasi shprehu shqetësimin për ndalimin e protestuesve në ishull në fillim të këtij muaji.
Bruno Rodríguez Parrilla, u përgjigj përmes Twitterit, duke refuzuar me forcë deklaratën dhe akuzoi shefin e punëve të jashtme të BE Josep Borrell se nuk guxoi të përmendë “bllokadën gjenocidale amerikane që shkel sovranitetin evropian dhe imponon ligjet dhe gjykatat e tij”.

Borrell i bëri thirrje qeverisë kubane të lirojë të gjithë të burgosurit e ndaluar dhe të respektojë “të drejtat dhe liritë e njeriut të përfshira në konventat universale të të drejtave të njeriut”.
“Ne i bëjmë thirrje të lirojë të gjithë protestuesit e ndaluar në mënyrë arbitrare, të dëgjojë zërat e qytetarëve të saj dhe të përfshihet në një dialog gjithëpërfshirës për ankesat e tyre,” tha Borrell.
(BalkanWeb)