Policia e Malit të Zi ka arrestuar rreth 60 persona, për shkak të protestave të dhunshme më 13 maj, përmes të cilave u kërkua lirimi i tetë priftërinjve të Kishës Ortodokse Serbe. Përleshjet mes protestuesve dhe policisë ndodhën në qytetet Nikshiq dhe Plevle.

Gjatë përleshjes u plagosën 26 policë, ndërsa një prej tyre ka përfunduar në spital. Tetë priftërinj në Mal të Zi mund të përballen me 12 vjet burgim për shkeljen e urdhrave të shëndetit publik, pasi drejtuan një liturgji të paligjshme, nëpër rrugët e qytetit Nikshiq.

Mijëra besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, injoruan masën e ndalimit të tubimeve publike të cilën qeveria e ka vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe morën pjesë në një liturgji fetare. Beogradi ka kritikuar ashpër arrestimin e tetë zyrtarëve të Kishës Ortodokse Serbe.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe Patriarku ortodoks serb Irinej, thanë në një deklaratë të përbashkët se “shfaqin shpresën se arrestimet nuk do të shkaktojnë ndonjë “trazirë ose përleshje të padëshiruar”.

Arrestimet pasojnë tensionet e vazhdueshme midis autoriteteve pro-perëndimore të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe. Në fillim të këtij viti, Kisha Ortodokse Serbe zhvilloi për disa javë protesta në Mal të Zi kundër një ligji për Liritë Fetare. Kisha Ortodokse serbe – e cila dominon për kohë të gjatë jetën fetare në Mal të Zi – pretendon se ligji do t’i marrë asaj pronën, duke përfshirë manastiret dhe kishat.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb