Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se opozita po punon prej dy vitesh për një program ekonomik. Lider i opozitës, i ftuar në ‘Opinion’ u ndal edhe tek protesta e naftëtarëve, të cilët kërkojnë pagat e tyre. Ai tha se vetëm me një stoli të një ministri të qeverisë Rama, mund të paguheshin rrogat e punonjësve. Basha tha se me ardhjen e PD-së në pushtet, do të hetohet jo vetëm qeverisja socialiste, por edhe ajo e mëparshme.

“Ky është një element korrupsioni që nën qeverisjen time nuk do të kursejë asnjë, as në këtë qeverisje dhe as në atë para saj. Rasti i naftëtarëve është një simptomë më e vjetër, ku korrupsioni ka arritur në elementë të paimagjinueshëm. Imagjinoni që vetëm një stoli e një ministri të qeverisë do të mjaftonte për të mbuluar pagat e tyre për një muaj. Një pasuri që i takon shqiptarëve dhe një komuniteti, që është shfrytëzuar në mënyrën më çnjerëzore. Në kurriz të këtyre njerëzve janë paguar 2 apo 3 individë dhe paguajnë gjithë shqiptarët”, pohoi ai.

Sipas Bashës, një ndër elementët bazë të këtij programi është taksa e sheshtë 9% për të gjitha të ardhurat personale, ndërsa theksoi se PD do të mbështesë bizneset. “Prej më shumë se dy vjetësh PD është në një punë serioze për një program realist konkret për ta nxjerr vendin nga kriza. Janë disa nga ekspertët më të njohur në botë dhe ekipi im ekonomik që është ekipi më i mirë në Shqipëri që po punojnë. Është një proces që është fragmentuar sipas çdo sektori. Nuk ka premtime pr mrekulli, premtime fallco për 300 mijë vende pune, por ka zgjidhje konkrete”, tha Basha.

Po ashtu Basha shtoi se; “300 mijë lekëshi është pa taksa dhe mbi 300 mijë leke taksa do të jetë 9% për të ardhurat personale, për tatimin mbi biznesin, për sigurimet shoqërore. Biznesi i vogël kemi një trajtim tjetër. Do klasifikohet biznes i vogël çdo biznes me xhiro vjetore nën 140 milionë lekë të vjetra dhe do paguajë një taksë të vetme që është 0.5% e xhiros vjetore dhe asnjë lloj tatimi tjetër qendror ose lokal. E gjithë kjo pjesë e taksës do t’i dedikohet pushtetit vendor, por taksa të çmendura si taksa për shkollën apo tarifa të tjera që vjedhin qytetarët dhe biznesin, nuk do të ekzistojnë më. Nuk ka premtime për mrekulli, premtime false për 300 mijë vende pune, por ka zgjidhje konkrete. Dy janë qëllimet kryesore të programit tonë politik: të krijojmë një shtesë të mesme të shqiptarëve dhe institucionet tu takojnë qytetarëve. Shtresë e mesme janë ata që kanë 1 milion lekë të vjetra të ardhura në muaj. Me këtë pavarësi financiare që kanë të vetëpunësuarit përbëjnë në çdo shoqëri motorin e zhvillimit. Ne kemi një shtresë të mesme pothuajse hije. Mbi 25 mijë persona kanë deklaruar paga mbi 1 milion të vjetra. 10 apo 15 veta janë deklaruar milionerë dhe multimiliarderë.”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb