TIRANË

“Protestat gjykohen nga objektivi, nga tabela e qitjes së tyre, kujt i bien. Mund të shihni protestat e ndodhura së fundmi në Europë, ku godasin. Tërbimi, zemërimi, pakënaqësia ku godet.

Keni parë të goditet parlamenti, godina e qeverisë, muzeu, teatri?”, thotë ministri i Brendshëm në detyrë Sandër Lleshaj në “Real Story” në News24, teksa komenton protestat e ditëve të fundit pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia.

Ai theksoi se adresimi i goditjes ndaj themeleve dhe simboleve të shtetit është pjesë e deficitit tonë të madh.

“Ne nuk kemi mësuar ende të protestojmë. Ta kanalizojmë ku duhet e mos ta shndërrojmë në instrument për të goditur veten. Problemi ynë është se nuk i ndiejmë si tonat. E ndiejmë shtetin si jashtë nesh”, deklaroi Lleshaj.

Për të, protesta është hapur politike. Po i kujt është faji që e ndiejmë shtetin jashtë nesh?
“Faji është i të gjithëve, i të dy palëve, të dy kemi faj. Kemi një lloj verbërie që e tejkalon arsyen. Prishja e semaforëve nuk i qëndron asnjë lloj logjike. Është të dëmtojë interesin publik, sigurimin e qarkullimit. Mungesa e semaforit është shkak për të vdekur një njeri tjetër.
Semafori, këtë elementar të zhvillimit ende sot e gjejmë vetëm në Tiranë. Por dhe këto pak që kemi këtu në vend t’i shpërndajmë, vijmë i prishim. Përse? Si zemërim ndaj një vrasjeje që është në proces ligjor. Është hapur politike. Liderët opozitarë i kanë dalë hapur në mbështetje”, deklaroi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb