TIRANË

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka folur sot në seancën plenare pas kërkesës së një grupi deputetësh të opozitës parlamentare të cilët i kërkuan interpelancë kryeministrit Edi Rama për disa çështje, prej tyre dhe të dhënat për protestat pas vrasjes së të riut Klodian Rasha.

Çuçi tha se pas asaj ngjarjeje të rëndë Tirana dhe disa qytete të tjera të vendit u përballën me tubime dhe protesta të dhunshme. Ai tha se protestuesit ishin të moshave të ndryshme duke nisur nga 12 vjeç. Ai deklaroi se nuk ka pasur dhunim të të miturve.

“Në protesta pati një pjesëmarrje të konsiderueshme nga të rinjtë e moshave 12 deri në 22 vjeç. Që siç u pa nga të gjithë në ato ditë të dhjetorit, epiqendra e protestave ishte Tirana dhe më konkretisht Bulevardi’Dëshmorët e Kombit’, Kryeministria, Ministria e Brendshme, Bashkia Tiranë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë. Por pati tubime edhe në disa qytete të tjera të vendit si Durrësi, Korça, Shkodra etj”.

“Protestat u shoqëruan me kryerjen e veprimeve të dhunshme dhe akteve vandale ndaj objekteve të rëndësisë shtetërore dhe pronës publike, duke i dëmtuar me sende të forta dhe shpesh duke tentuar t’u vihet zjarri. Përmend këtu sulmet ndaj Kryeministrisë, Ministrisë së Brendshme, Bashkisë Tiranë e deri te Muzeu Kombëtar. Ndërkohë u shkatërruan në mënyrë të përsëritur edhe semaforët e disa kryqëzimeve në rrugët e Tiranës duke shkaktuar kaos për disa ditë në qarkullimin e automjeteve”- tha Çuçi.

“Në kushtet e kësaj situate, policia ndërhyri për marrjen e masave. Janë 46 punonjës policie të dëmtuar gjatë protestave, 8 policë të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, 2 të Policisë vendore të Shkodrës dhe Korçës dhe pjesa tjetër punonjës të FNSH”- tha Çuçi.

Ministri informoi se, “për procedime penale për tubim të paligjshëm janë 578 persona, 97 të arrestuar në flagrancë, nga të cilët të mitur të moshës 14-18 vjeç 4 persona. Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë 470 persona dhe janë në kërkim 8 persona”.

Të grupuara sipas moshave, Çuçi bëri të ditur se, “nga mosha 14-17 janë 215 persona të proceduar, nga 18 -29 vjeç janë 276 persona, nga mosha 30-44 vjeç janë 37 persona dhe nga 44- 59 vjeç janë 20 persona dhe mbi 60 vjeç janë 5 persona”.

Ai tha se janë zbatuar të gjitha detyrimet e Kodit Penal dhe në asnjë rast nuk ka pasur dhunim të të miturve dhe minorenëve të cilët janë marrë në pyetje në praninë e avokatit apo të prindërve.

“Askush nuk do të ketë mbrojtje ndaj shkeljes së ligjit qoftë me uniformë apo pozitë dhe këtë pretim e kemi mbajtur pasi çështja që i referohemi është në gjykatë dhe është gati për gjykim. Hetimet janë mbyllur plotësisht dhe ka prova të plota për fajësinë e oficerit të policisë”- tha Çuçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb