TIRANE

Edhe pse Universiteti Bujqësor në Kamëz është ngritur në protestë për të kundërshtuar ngritjen e një shkolle 9 vjecare në fidanishte brenda tij, madje është dekluarat deri edhe në bojkot të mësimit, kryebashkiaku Erion Veliaj, duket i vendosur në ndërtimin e kësaj shkolle.  “Shkolla në Kodër-Kamëz do jetë më e bukura në Tiranë, ata që sulmojnë shkollat janë të njëjtët personazhe që sulmonin dje sheshin, Pazarin, lodrat” u shpreh sot kryebashkiaku.

“Kodër-Kamza nuk mund të jetë kontigjent për protesta të dhunshme; Kodër-Kamza ka të gjithë potencialin për çuna dhe goca me talent, që nesër mund të bëhen doktoresha, kryetarë bashkie, inxhinierë, dhe nuk ka asnjë arsye pse disa komunitete t’i diskriminojmë duke i futur në një xhep, dhe duke thënë se ata i kemi për protesta dhe shkatërrim. Ndërkohë, unë besoj se Kodër-Kamza sot ka një potencial fantastik që nxënësit e atij komuniteti të nxjerrin nga varfëria dhe nga ky kurth jo vetëm veten e tyre, por edhe familjet e tyre”, shtoi Veliaj.

Gjithashtu i vendosur Veliaj u shpreh edhe për përfundimin e projektit të Bulevardit të Ri, aty ku prej dy ditësh situata është e tensionuar, pasi banorët kundërshtojnë shembjen e banesave të tyre.

“Sot ka nisur lirimi i brezit të parë të shtëpive. Do të vazhdojmë kështu çdo ditë. Në Tiranë nuk do të lejojmë ‘Astirizimin’ e shoqërisë: kap një deputet budalla, gjej dhe nja dy media të politizuara, dhe mbaj gjithë shoqërinë peng. 99.99%  e këtij qyteti do të ecë përpara, do që gjërat të bëhen me drejtësi dhe që taksat të përdoren me kujdes”, deklaroi Veliaj, ndërsa theksoi se se edhe për banorët që preken nga ky projekt dhe që kanë ndërtuar në gjurmën apo në shtratin e lumit do t’i ofrohet banesa sociale.

“Pyetja është: i vajte ti lumit, apo erdhi lumi te ty? I vajte ti lumit! Ajo që kemi propozuar është: Kush ka ndërtuar në shtrat të lumit, aty ku përfundon bulevardi, do marrë banesë sociale. Pra, banesë për banesë. Janë shumë herë më të mira se ato që i merr lumi. Ama, t’u marrësh lekët e shkollave taksapaguesëve sepse ke ndërtuar pa leje në breg të lumit, nuk shkon. Edhe Sali Berisha që e shkatërroi këtë shtet, edhe ai nuk i përfshiu në VKM, që s’e kishte problem fare ta shkatërronte edhe më shumë. Por, kur edhe ai pati një limit të çmendurisë së vet, do të thotë që ne të tjerët duhet ta kemi patjetër një limit. Shtëpi për shtëpi, asnjë njeri jashtë, asnjë njeri i pastrehë”, sqaroi Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb