Banorët e fshatit Lumas kanë dalë sot në protestë përpara bashkisë së Kuçovës. Ata janë mbledhur sërish sot për të protestuar kundër ndërtimit të një ujësjellësi me ujin e burimit të Sinecit.

Sipas banorëve, bashkia e Kuçovës,pa u konsultuar me asnjë prej banorëve dhe pa u dhënë atyre asnjë shpjegim, ka filluar prej një jave piketimet rreth burimit për të ndërtuar aty një ujësjellës. Prej më shumë se 1-ore ata janë grumbulluar përpara bashkisë, ku pritën të takoheshin edhe me drejtuesit e këtij institucioni.

Sipas banorëve, nqs aty do të ndërtohet një ujësjellës,uji i burimit të Sinecit do të devijohet dhe banorët do të gelen pa ujë, ndërkohë që edhe tokat bujqësore do të thahen. Banorët shprehen se, ata nuk do të lejojnë askënd të shfrytëzojë të vetmin burim natyror që ata kanë dhe që prej shekujsh e kanë përdorur për nevojat e tyre familjare, për të vaditur tokat bujqësore dhe për të pirë ujë.

Një përfaqësi e protestuesve është takuar edhe me kryebashkiakun e Kuçovës Kreshnik Hajdari, i cili u ka komunikuar banorëve se ndërtimi i këtij ujësjellësi nuk do të ndikojë aspak në minimizimin e nivelit dhe prurjeve të burimit të Sinecit.

Sipas tij,banorët do ta kenë sërish sasinë e nevojshme të ujit nga ky burim për nevojat e tyre familjare dhe për vaditje. Pas takimit me kryebashkiakun Hajdari,banorët kanë deklaruar se nuk besojnë në premtimet që u dhanë prej tij dhe se ata nuk do ti lejojnë vazhdimet e punimeve për këtë ujësjellës, duke përshkallëzuar protestat e tyre.

Uji i burimit të Sinecit është përdorur si ujë komunal për 4 fshatra të komunës së Lumasit dhe me këtë burim vaditen 150 ha tokë bujqësore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: