TIRANE

Pavarësisht kushteve atmosferike jo të përshtatshme, banorët e zonës së Astirit në kryeqytet kanë vijuar protestën e tyre në ditën e 17 të tyre. Banorët janë mbledhur sërish sonte për të protestuar kundër prishjes së banesave të tyre të cilat preken nga projekti i Unazës së Re.

Banorët  kanë bllokuar rrugën, ndërsa shprehen se i kanë banesat në proces legalizimi dhe kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut. Ata kanë paralajmëruar protesta pa afat.

“Kërkojmë që këtyre që u kemi dhënë votën të vijnë të na takojnë. I bëj thirrje politikaneve dhe tyë vijën të na takojnë se nuk u dhamë votën që të na bëjnë gropën. Presidenti Meta të mendojë për këtë popull. Qeveri hajdute, Turp të kenë hajdutët. Ja ku jam, le të vijnë të ma arrestojnë”- thotë një nga banorët.

Në mbështetje të protestuesve janë edhe deputetë të opzites, aktivistë të shoqërisë civile dhe ata që kundërshtojë prishjen e Teatrit Kombëtar.

Deputetët e LSI Endrit Braimllari, Klajda Gjosha dhe Floida Kërpaçi gjithashtu kanë qenë në përkrahje të protestuesve tek Unaza e Re. Deputetët e LSI kanë takuar banorët duke mbështetur kërkesat e tyre.
“Banorët e Unazës së Re janë në protestë për të drejtën e tyre. Edi Rama të mos guxojë t’i afrohet banesave tek Unaza e Re sepse këto banesa janë të qytetarëve të ndershëm dhe jo të kriminelëve dhe oligarkëve të Edi Ramës. Do të jemi në mbështetje të banorëve çdo ditë sepse kjo është një e drejtë legjitime. Edi Rama nuk mund të tallet me djersën e banorëve. Edi Rama është antikombëtar”, deklaruan deputetët e LSI.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb