NGA: SILVI BARDHI
Herët në mëngjes zgjimi më bëhet çdo ditë nga djemtë e mi të vegjël. Zërat e tyre më drithërojnë, më
mbushin me jetë, gëzim, vullnet, dëshirë për të filluar një ditë re. Kështu nis dita ime, por edhe të gjitha nënave të reja, të cilat janë si unë. Ne jemi të brengosura për fatin e fëmijëve tanë, ekzistencës së vërtetë të jetës, arsyes të vetme të mbijetesës, qëllimit primar se përse luftojmë kaq shumë për t’u krijuar kushtet minimale, brengës së papushimtë se me çfarë do t’i ushqejmë sot, shqetësimit të pakufi se përse nuk mundemi më shumë.

Rrezja e parë e ditës janë fëmijët tanë. Ata janë arsyeja përse ne vrapojmë aq fort, madje as dhimbje nuk ndjejmë kur në këtë vrap mund të çapitemi nga lodhja. Është sakrifica jonë e pamohueshme, mishërimi i qenies sonë, gjaku i gjakut, shpirti i shpirtit. Mbi këto detyra të vështira të ngarkuara nga jeta, fati dhe bekimi i Zotit, shtrohet pikëpyetja e madhe. Sot, në shekullin e evoluimit teknologjik, garës globale të zhvillimit ekonomik, sfidave të përditshme të zbulimeve shkencore, ne shqiptarët garojmë me vendet e botës së tretë, ku është i lumtur ai prind që mund t’i sigurojë fëmijës së tij kërkesat më të vogla. Është i lumtur ai prind që mund t’i sigurojë një strehë, ushqim, kopsht me mik, shkollë pa lagështirë dhe mundësisht me sobë me dru, këpucë e veshje të blera tek rrobat e përdorura, ndonjë ëmbëlsirë për fundjavë, ose lojëra tek ambientet publike, pasi ato private nuk përballohen financiarisht prej tyre. Është për të ardhur keq se ku rrisim fëmijët tanë.

Shqiptarët jetojnë me shpresën zero për të ardhmen. Nuk kanë ku ta gjejnë shpresën kur djalin apo vajzën e tyre e kanë të ekspozuar në ambiente shkolle, ku dëshmitë flasin se shitet lëndë narkotike. Në një prej shkollave të mesme profesionale prindërit ankohen se në mes të ditës, në prani të të gjithë nxënësve tregtohet lëndë narkotike. Ku mund ta gjejmë shpresën ne, të cilët çdo ditë, sapo kthehemi nga një ditë e lodhshme pune, shohim fëmijët tanë të rriten në logjikë, në kërkesa, në veprime. Ankthi se fëmija ynë është kaq i pasigurt, pasi edhe pse kërkojmë ushqimet më të mira për ta, duhet të pyesim me kujdes se cilat nga këto produkte është më pak i kontaminuar. Është kaq e vështirë të ushqesh fëmijët e tu me të paktën fruta apo perime organike. Në çdo lugë ushqim i lutem Zotit që të mos jem duke i bërë dëm fëmijës tim, duke tentuar ta rris shëndetshëm. Fëmija ynë është i pasigurt në kopshte, në shkolla, në ambiente publike ku bashkë me njeriun halleshumë jeton edhe narkomani, hajni… Fëmijët tanë jetojnë në ambiente të papastra, nga pluhuri e moskujdesi i personave sa përmenda më lart. Fëmijët tanë duhet të përballen çdo ditë me prindër nën stres, sepse dita e tyre ishte mjaft e vështirë duke filluar që nga faturat, të cilat i gjejnë poshtë derës së shtëpisë. Fatura të majme, në një shtëpi modeste të jetuari.

Stres, tek shitësi ambulant se mallin e ka pa cilësi sepse nuk ka shitje. Stres, në treg, sepse çmimet janë rritur, aq sa një kg brokoli blihet sa një kg mish. Stres, sepse nafta, gazi janë shtrenjtuar, e kuleta është bosh në fund të ditës. Stres, sepse në rrugë qarkullohet me njerëz të mërzitur, nuk kanë buzëqeshje, janë të vyshkur, të përhumbur, të demoralizuar, të rrënuar. Stres në urbane, sepse sediljet bosh nuk janë si në kronikën e Erion Velisë, kur gënjen kur thotë se shërbimi publik është përmirësuar. Stres, sepse duhet të paguash ende në spitale publike edhe pse Edi Rama premtoi shëndetësi falas. Stres, sepse televizionet transmetojnë nga mëngjesi në darkë kronikë të zezë. Stres, sepse dëgjojnë kryeministrin teksa u thotë: Ju jetoni si them unë, jo si thoni ju. Stres, sepse jetojnë në Shqipëri. Ndaj unë dhe nënat si unë protestojmë që mashtrimi të marrë fund e shpresa të ringjallet. Më 18 shkurt shumë nëna si unë, qindra e mijëra do të vijnë në protestë, për ta zgjuar tani nga gjumi qeverisjes e ëndrrave.
(Gazeta Shiqptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb