FIER- Banorët e fshatit Mbrostar janë ngritur sot në protestë kundër vendimit të marrë në parim nga ana e Këshillit Bashkiak Fier për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve në afërsi të këtij fshati. Ndryshe nga ajo që pretendojnë ekspertët e bashkisë, banorët theksojnë se vendi i përcaktuar është shumë afër zonës së banuar dhe se ata nuk do të lejojnë që ky impiant të ndërtohet aty. Protestuesit shprehen se me ndërtimin e këtij impianti do të shtohet edhe rreziku i sëmundjeve ndaj tyre, ndërsa kanë kërcënuar se protestat do të përshkallëzohen nëse ky vendim nuk tërhiqet.

Ndërkohë kreu i njësisë administrative Mbrostar, Gëzim Dhima është shprehur se vendimi në fjalë i marrë të premten në mbledhjen e këshillin bashkiak është një vendim në parim dhe se ai nuk ka dijeni për vendin e përcaktuar. Dhima ka shtuar se për momentin në këtë njësi nuk ka shkuar asnjë dokument që flet për ndërtimin e impianti dhe se duhet pritur zbardhja e këtij vendimi.

Gjatë ditës së premte, në mbledhjen e këshillit bashkiak, thirrur enkas për këtë rast, një komision i përbërë nga përfaqësues dhe ekspertë të bashkisë Fier, paraqitën përpara anëtarëve të këshillit 10 projekte për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve në Fier. Nga këta, këshilli bashkiak miratoi si projektin më të mirë pikën 4, i cili ndodhet pikërisht në afërsi të fshatit Mbrostar. Tashmë janë ekspertët e firmës ndërtuese të këtij impianti ata të cilët do të thonë fjalën e fundit në lidhje me këtë projekt, nëse vendi i përzgjedhur i plotëson standardet e kërkuara apo jo?!
(ed.me/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: