TIRANE- Laborantët që operojnë në sektorin publik shëndetësor kanë nisur protestat në 18 spitale publike të vendit, duke i kërkuar Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të tërhiqet nga dhënia me koncesion e laboratorëve.

Paraditen e sotme, rreth 60 laborantë dhe 20 mjekë që punojnë në 5 laboratorët e qendrës spitalore “Nënë Tereza” janë tubuar për rreth 1 orë në qendër të spitalit.

Frika më e madhe për profesionistët e shëndetësisë është humbja e vendit të punës pas dhënies së laboratorëve privatit.

Reagimi i laborantëve vjen vetëm pak ditë pasi Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj paraqiti në Kuvend draftin për dhënien me koncesion 10-vjeçar të laboratorëve të 5 spitaleve terciare, 11 spitaleve rajonale dhe dy spitaleve bashkiake.

Për koncesionin e radhës sipas modelit PPP, Ministria e Shëndetësisë do t’i paguajë partnerit publik privat 800 milionë lekë të reja në vit, nga 600 milionë që shpenzon aktualisht nga buxheti i saj. Me paratë e shtetit, koncesionari premton të realizojë 160 lloje analizash kundrejt 96 të tilla që kryhen sot në QSUT, referuar kjo deklaratës së ministrit Beqaj bërë në Komisionin e Shëndetësisë.

Mjekët dhe laborantët lajmëruan protesta të përditshme deri në anulimin nga ministri të procedurës së nisur.

REAGON MINISTRIA E SHËNDETËSISË
Pas letrës së hapur të Shoqatës së Teknikëve të Mjekësisë Laboratorike Shqiptare (SHTMLSH) ka reaguar ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.

Ministra e Shëndetësisë e mirëpret letrën e Shoqatës së Teknikëve të Mjekësisë Laboratorike Shqiptare si dhe inkurajimin që ajo i bën çdo nisme të MSH për krijimin e standardeve më të mira profesionale në përputhje me spitalet publike evropiane.

Ministria e konsideron SHTMLSH-në një aktor të rëndësishëm në sistemin shëndetësor shqiptar dhe do të donte të adresonte shqetësimet e saj në mënyrë të drejtpërdrejtë me qëllim që çdo keqinformim të mund të sqarohet.

Bazuar në studimin e fizibilitetit të hartuar sipas marrëveshjes nënshkruar ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë me Ligjin Nr. 78 datë 16.07.2015, “Për ratifikimin e marrëveshjes së shërbimit këshillimor financiar, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare”, sqarojmë:

1. Ministria e Shëndetësisë e mirëpret tërheqjen e vëmendjes nga ana e SHTMLSH-së në lidhje me transparencën. Ministria ka të njëjtin angazhim për transparencën, kjo është arsyeja përse Ministria ka kontaktuar një grup të gjerë të ekspertëve të shëndetësisë dhe ka ftuar ata të ishin pjesë e këtij procesi.

Një Komision Drejtues i përbërë nga përfaqësues të disa ministrive, fondi i sigurimeve shëndetësore dhe specialistë të njohur të laboratorëve kanë dhënë ekspertizën e tyre dhe kanë bërë mbikëqyrjen e projektit që nga fillimi.

Është ndërmarrë një analizë e hollësishme e shërbimeve laboratorike që ofrohen në spitalet universitare dhe rajonale, në mënyrë që Ministria dhe Komisioni Drejtues të kenë një panoramë të qartë të pengesave që duhen kapërcyer për të përmirësuar cilësinë e kujdesit shëndetësor që qytetarët shqiptarë marrin përmes sistemit publik shëndetësor.

Ministria e Shëndetësisë i kërkoi Korporatës Financiare Ndërkombëtare, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, të angazhohet si këshilltare gjatë gjithë studimit si dhe të ndihmojë në zhvillimin e një procesi transparent tenderimi. Komisioni Drejtues ka ndihmuar në këtë projekt që nga fillimi dhe ekspertët e shëndetësisë në komision kanë sjellë gjykime dhe mendime specifike të shoqatave të tyre në variantin përfundimtar të modelit të Partneritetit Publik Privat (PPP).

2. Ministria do të donte të falënderonte SHTMLSH-në për ngritjen e shqetësimit të tyre rreth pështjellimit të shkaktuar për shkak të terminologjisë. Më lejoni të thekson se është e rëndësishme që të gjithë palët e interesuara të kenë të njëjtin kuptim të terminologjisë se projektit. Për këtë ju sqaroj se, Partneriteti Publik Privat (PPP) është thjesht një formë bashkëpunimi ndërmjet sektorit publik dhe privat për të ofruar dhe përmirësuar një shërbim publik.

PPP-të janë zbatuar me shumë sukses për shumë vite në shëndetësi, edhe në vendet evropiane, anëtare ose jo të Bashkimit Evropian. Për Shqipërinë, përfitimi nga një PPP-të është që në fund të periudhës së kontratës së partneritetit, të gjithë asetet e trupëzuara dhe të patrupëzuara të investuara dhe të vëna në dispozicion të sistemit laboratorik nga partneri i sektorit privat, do të bëhen pronë e spitaleve tona publike dhe do të mbeten asete shqiptare.

Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë do të përcaktojë standardet që do të përdoren dhe që do të rregullojnë shërbimet që do ofrohen për të siguruar që qytetarët e Shqipërisë të marrin shërbime laboratorike të cilësisë së lartë. Në fakt, pagesa e shërbimeve do të jetë në varësi të shërbimit të ofruar nga partneri privat në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare për shërbimet laboratorike.

3. SHTMLSH-ja ka ngritur një shqetësim që modeli që po përdoret për këtë PPP të rëndësishme të laboratorëve është shumë i ndryshëm nga modelet e përdorura në vende të tjera në Evropë. Ministria do të donte të vinte në dukje që kjo nuk është plotësisht e saktë dhe disa vende përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Holandën, Rumaninë dhe vende të tjera të OECD-së, kanë zbatuar me sukses riorganizimin rajonal të shërbimeve të tyre publike laboratorike, dhe i kanë konsoliduar këto shërbime në rrjete laboratorësh.

Megjithatë, në vendet evropiane, përvoja e të cilave, në vlerësimin tonë,është shumë më e madhe se e Shqipërisë, kontraktorët ofrojnë një vëllim më të madh shërbimesh se ai që parashikohet për Shqipërinë. Kjo kërkon që modeli të përshtatet me nevojat specifike të vendit tonë. Për këtë arsye, 18 laboratorët që preken nga PPP-ja do të jenë nën një sistem të vetëm administrimi.

Kjo pasi përmasat e sistemit shëndetësor shqiptar, volumi i analizave të realizuara deri më sot në laboratorët tanë janë të tilla që një administrim i unifikuar garanton një përdorim efiçent të burimeve njerëzore, teknologjike dhe financiare. Laboratorë të veçantë të shkëputur nga njëri-tjetri nuk mund të përballojnë hapin e shpejtë të ndryshimeve në lidhje me kontrollin e cilësisë, standardet e sigurisë dhe investimet, dhe ka shumë shembuj të qartë që efiçenca vjen nga integrimi dhe koordinimi i përpjekjeve mes laboratorëve të shumtë në një rrjet.

4. Është e rëndësishme të kuptohet që sistemi ynë publik laboratorik është dhe do të mbetet një pjesë kritike e sistemit shëndetësor publik të Shqipërisë. Një PPP nuk e ndryshon këtë fakt.

Megjithëse sektori privat do të menaxhojë dhe ofrojë shërbimet tona publike laboratorike, ato mbeten një shërbim publik që rregullohen nga Qeveria e Shqipërisë. Dhe gjatë kësaj PPP-je, procesi i aksesit në shërbime për qytetarët dhe pacientët tanë nuk do të ndryshojë, sepse ata do t’i drejtohen spitaleve publike përmes sistemit të referimit siç është deri tani, dhe do të vazhdojnë të marrin interpretimin e analizave dhe trajtimin nëpërmjet mjekëve të spitaleve, të cilët do të vazhdojnë të jenë të kontraktuar nga spitalet publikë ashtu si edhe deri më tani.

5. Në lidhje me pyetjen e SHTMLSH-në, nëse laboratorët publikë evropianë të Qendrave Universitare do të ruajnë apo jo fizionominë e tyre, Ministria dëshiron të informojë SHTMLSH-në që laboratorët e spitaleve universitarë (përfshirë edhe atë të QSUT-së) jo vetëm që do të ruajnë fizionominë që kanë, por do të fuqizohen, standardizohen dhe akreditohen, duke përfituar nga investime serioze që në vitin e parë të zbatimit të kontratës, jo vetëm duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve që ofrojnë, por edhe duke garantuar vijimësinë e shërbimeve që do të kryejnë.

Laboratorët e QSUT-së do të vazhdojnë të përmbushin misionin universitar mësimdhënës dhe shkencor. Ky mision madje do të fuqizohet pasi do të mundësohen më shumë teste se sa bëhen sot, si dhe do të sigurohet vijimësi në funksionimin e përditshëm qoftë lidhur me mirëmbajtjen e pajisjeve qoftë edhe me disponibilitetin e kiteve dhe reagentëve.

Parashikohet që 1 (një) herë në vit të bëhet një vlerësim i nevojave për teste të reja dhe që lista e testeve të mund të zgjerohet deri me 5 teste të reja. Ky vlerësim do të bëhet në bashkëpunim me drejtuesit e shërbimeve laboratorike universitare.

6. Ministria gjithashtu do të donte ti përgjigje pyetjes së SHTMLSH-së nëse PPP do të krijonte apo jo një monopol. Ministria do donte të siguronte SHTMLSH-në që kjo nuk qëndron në këtë rast. Në formën e tanishme, siç është sot, sistemi laboratorik publik nuk është një monopol. Dhënia me kontratë PPP-je të menaxhimit dhe funksionimit të shërbimeve publike laboratorike nuk e ndryshon këtë gjë.

Ministria zgjodhi të punonte me IFC-në për shkak të nevojës për të përmirësuar cilësinë dhe gamën e shërbimeve laboratorike që ofrohen përmes sistemit shëndetësor publik, dhe modeli që kemi zgjedhur do t’i mundësojë Ministrisë të arrijë këtë objektiv, duke siguruar në të njëjtën kohë që shërbimet laboratorike të mbeten një pjesë kyç e sistemit shëndetësor publik.

Po kështu,PPP-ja nuk cenon interesat e ofruesve aktualë privatë të shërbimeve laboratorike, siç sugjerohet nga SHTMLSH-ja. Laboratorët privatë do të kenë gjithmonë një rol të rëndësishëm për të luajtur. Ata do të vazhdojnë t’u shërbejnë pacientëve, të cilët zgjedhin, ashtu si deri më sot, të kryejnë analizat e tyre në laboratorë privatë dhe jo në sektorin publik.

Kjo do të thotë që PPP-ja nuk do të konkurrojë me laboratorët ekzistues privatë, sepse nuk do të jetë i hapur për këdo që mund të kërkojë analiza laboratorike, por vetëm për pacientët e shtruar në spitale, ata që paraqiten në urgjencat spitalore, si dhe për ata që paraqiten nëpërmjet sistemit të referimit. PPP-ja do të ofrojë një gamë prej 160 analizash bazë për shumicën e diagnozave, ndërkohë që laboratorët privatë ofrojnë mbi 1000 lloje analizash.

Nëse deri më sot një pjesë e aktivitetit mjekësor dhe për pasojë edhe aktivitetit tregtar të ofruesve privatë të shërbimeve laboratorikë është “favorizuar” nga shërbimet e mangëta të ofruar në spitalet publike, kjo nuk mund të vazhdojë më, pavarësisht nga rruga që po ndjek Ministria (pra PPP-ja) për të garantuar shërbim cilësor laboratorik në spitalet publikë të vendit në 365 ditë të vitit.

7. Ministria gjithashtu i kushton vëmendje të veçantë shqetësimit të SHTMLSH-së për vazhdimësinë e punësimit të anëtarëve të saj. Ministria beson që punonjësit e shëndetësisë publike të vendit tonë kanë rëndësi kritike për shëndetësinë në Shqipëri, dhe e trajton shumë seriozisht situatën e mjekëve dhe personelit laboratorik.

Për të ofruar informacion më specifik për SHTMLSH-në dhe anëtarët e saj, ju bëjmë me dije se mjekët e punësuar në laboratorët e spitaleve do të vazhdojnë të kenë një kontratë me spitalet publike. Disa do të punojnë në laboratorët që do të jenë brenda mjediseve të spitaleve publike, dhe do të drejtojnë procesin mjekësor të laboratorëve, dhe disa të tjerë do të punojnë me mjekët e spitalit për të interpretuar gjetjet laboratorike dhe përmirësuar diagnozat.

Teknikët laboratorikë do të punësohen nga kompania që do të krijohet specifikisht për zbatimin e kontratës së PPP-së. Nivelet e punësimit do të varen nga një numër faktorësh. Nga njëra anë, lista e analizave që do ofrohen do të zgjerohet ndjeshëm dhe volumi i analizave që do të kryhen do të rritet, gjë që do të rrisë sasinë e punës së kërkuar dhe numrin e punonjësve.

Nga ana tjetër, për të pasur një shërbim mjekësor të zhvilluar, Shqipëria duhet të ndjekë ritmin e përparimit të teknologjisë Biomjekësore. Sigurisht që teknologjitë e avancuara kanë më shumë përdorim të pajisjeve mjekësore dhe kjo mund të sjellë ulje të nevojës për orë pune, qofshin këto të kualifikuara.

Optimizimi i shfrytëzimit efiçent të burimeve financiare, njerëzore dhe teknologjike është një sfidë e kujtdo që merr përsipër të drejtojë dhe administrojë sistemin shëndetësor. Kjo qasje nuk ka pse të jetë e lidhur me formën e administrimit që përdoret për të ofruar një shërbim të caktuar. Në tre kontratat aktuale të Partneritetit Publik Privat që Ministria e Shëndetësisë po zbaton, nuk është vënë re pakësim i personelit që mundëson ofrimin e kujdesit shëndetësor qoftë drejtpërdrejt apo tërthorazi.

Pavarësisht sa më sipër, garantimi i punësimit për këdo që ka një formim mjekësor nuk është misioni parësor i Ministrisë së Shëndetësisë. Sigurisht që kjo e fundit është e interesuar që të ketë burime njerëzore sa më të afta dhe të motivuara për përmbushjen e detyrave të tyre. Së fundmi, nevojat për shërbim shëndetësor dhe si rrjedhim për më shumë punonjës do të jenë në rritje edhe prej ndryshimeve demografike dhe epidemiologjike që po ndodhin.

8. Edhe rritja e shërbimeve të ndryshme spitalore përfshirë ato kirurgjikale, ortopedike, kardiologjike, onkologjike, etj. do të shoqërohet pashmangshmërisht me rritje të nevojës për analiza laboratorike, duke e bërë dhe më të rëndësishëm përmirësimin e shërbimeve tona laboratorikë. Dhe përmes kësaj PPP-je, gama e analizave që do jenë të disponueshme në spitalet publike në gjithë vendin rritet më shumë se dyfish. Ministria ka përafruar çmimet e analizave me vendet e tjera të Evropës Lindore dhe Ballkanit, duke i ulur nga niveli aktual i çmimeve.

Ofertuesve të PPP-së së laboratorëve do t’u kërkohet të propozojnë një ulje shtesë nga lista aktuale e çmimeve. Në tërësi, kostoja e shërbimeve laboratorike parashikohet të jetë në linjë me referencat rajonale dhe evropiane, tek 7% e buxheteve spitalore. Megjithatë, siç është në dijeni SHTMLSH-ja, kjo kosto prej 7% ofron një ndikim shumë më të madh dhe pozitiv mbi sistemin shëndetësor, pasi 70% e të gjithë vendimeve që ndikojnë në diagnozë apo trajtimin e pacientëve ndikohet nga rezultatet e analizave laboratorike.

Kjo është dhe arsyeja përse Ministria është kaq e angazhuar ta zbatojë këtë projekt në koordinim të ngushtë me Komisionin Drejtues të projektit, i cili është i mirë përfaqësuar nga profesionistët laboratorikë të vendit tonë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: