Policia e Tajlandës ka qëlluar me gaz lotsjellës dhe plumba gome kundër demonstruesve në Bangkok që protestonin kundër dështimit të qeverisë për të trajtuar shpërthimet e koronavirusit dhe efektin e saj në ekonomi.

Më shumë se 1.000 protestues kundërshtuan kufizimet në tubimet publike dhe marshuan drejt, zyrës së Kryeministrit Prayuth Chan-ocha, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Policia bllokoi një rrugë pranë ‘Monumentit të Fitores’ duke përdorur kontejnerë dhe gjuajti me gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shtyrë protestuesit prapa.

“Ne po mbajmë këtë linjë,” njoftoi policia me një altoparlant.

Rreth 100 oficerë me veshje kundër trazirave dhe mburoja rrinin disa metra larg nga vendi ku ishin mbledhur demonstruesit.

Protestat në rrugë kundër qeverisë janë mbajtur javët e fundit nga disa grupe, përfshirë ish -aleatët politikë të Prayuth, ndërsa frustrimet rriten mbi menaxhimin e shpërthimeve të koronavirusit dhe dëmet që masat pandemike kanë shkaktuar në ekonomi.

“Politika e gabuar e vaksinimit irritoi vërtet qytetarët në Tajlandë,” tha një gazetar , i cili shtoi se qeveria kishte bërë një marrëveshje për të marrë 10 milionë doza të AstraZeneca, por erdhën vetëm 5 milionë.

“Megjithëse Kina siguroi më shumë se 6 milionë doza Sinovac, nuk është e mjaftueshme,” shtoi ai.

Të shtunën, Tajlanda raportoi një rekord prej afro 22,000 rastesh të reja të raportuara të COVID-19 dhe 212 vdekje.

Në përgjithësi, ajo ka raportuar 736,522 raste të koronavirusit, përfshirë 6,066 vdekje, që kur filloi pandemia vitin e kaluar.

“Unë jam i shqetësuar për situatën, por ne do të duhet të vazhdojmë të luftojmë pavarësisht shpërthimit të rëndë të COVID”, tha një protestues 27-vjeçar.

Një lëvizje proteste e drejtuar nga të rinjtë për demokracinë u ngrit vitin e kaluar dhe në kulmin e saj tërhoqi dhjetëra mijëra njerëz në tubimet në Bangkok.

Demonstruesit bënë thirrje për dorëheqjen e Prayuth, ish-shefit të ushtrisë i cili erdhi në pushtet në një grusht shteti të vitit 2014, kërkuan ndryshime në kushtetutën e shkruar nga ushtria dhe bën thirrje për ndryshime në monarki.

E8mwojaucag6sm4

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb