Mbi 5 000 vetë u arrestuan në gjithë Rusinë, gjatë protestave në mbështetje të kritikut më në peshë të Kremlinit, Alexei Navalny. Protestat vijnë pas arrestimit të Navalny-t, pas rikthimit të tij nga Gjermania, ku u trajtua pas helmimit me agjent nervor. Policia i cilësoi protestat si të jashtëligjshme, ndërsa Shtetet e Bashkuara dënuan dhunën ndaj protestuesve.

Policia ruse ndërpreu protestat në Moskë dhe vende tjera të Rusisë, ndërsa mbështetësit e kritikut të Kremlinit Alexei Navalny dolën sërish në rrugë për të kundërshtuar arrestimin e tij, duke sfiduar të ftohtin, dhe duke mos u druajtur nga arrestimet dhe ndjekjet penale nga autoritetet shtetërore, shkruan Voa.

Bashkëpunëtorët e zotit Navalny bënë thirrje sërish për protesta gjithëkombëtare përpara procesit gjyqësor ndaj tij që pritet të fillojë të martën. “Dua lirimin e Alexei Navalnyt, dua lirinë e vendit, dua që të kemi një jetë të mirë. Erdha sot këtu, por qendra është tërësisht e bllokuar, është e pamundur të hysh dhe është e zbrazët”, tha Mikhail, një protestues.

“Erdha për herë të parë në një protestë. Jam i lodhur nga keqërdorimi i pushtetit dhe mungesa e ligjit tek autoritetet. Asgjë nuk është qartësuar. Dua qartësi dhe ndryshim. Kjo më bëri që të vij këtu”, thotë Ivan, një protestues tjetër.

  • foto galeri
  • foto galeri

“Jam arrestuar nga policia sepse bërtita ‘liri për Navalnin’. Mendoj se Aelexei Navalny u arrestua në mënyrë të paligjshme, prandaj në mënyrë paqësore po kërkoj lirimin e tij”, thotë Andrei Davydpv, protestues.

Demonstratat mbarëkombëtare pasojnë protestat e mëdha të fundajvës së shkuar që janë pjesë e një fushate për t’i bërë presion Kremilimit për lirimin e kundërshtarit kryesor të Presidentit Vladimir Putin.

Politikani opozitar u arrestua më 17 janar menjëherë pasi u kthye në Moskë nga Gjermania ku për afër pesë muaj u trajtua pas helmimit me një agjent nervor në Rusi verën e shkuar. Ai akuzoi zotin Putin se urdhëroi vrasjen e tij, gjë që është mohuar nga Kremlini.

Vetëm në Moskë policia arrestoi të paktën 100 persona në tubimin që u zhvillua nën prani të madhe policore. Mbi 500 protestues të tjerë u arrestuan të dielën në Shën Petersburg.

Autoritetet thanë se protestat janë të jashtëligjshme meqenëse nuk u autorizuan, duke paralajmëruar ndalimin e tyre dhe duke arsyetuar vendimin edhe me rrezikun e shpërndarjes së koronavirusit.

Policia e Moskës njoftoi mbylljen e shtatë stacioneve të metrosë dhe kufizoi lëvizjen e këmbësorëve në qendër të qytetit.

Në qytetin lindor Vladivostok, policia pengoi protestuesit të hynin qendër të qytetit, duke i detyruar ata të zhvendosen në shetitoren pranë lumit të ngrirë Amur. Dhjetëra protestues u grumbulluan edhe në lindje të qytetit siberik Yakutsk, përkundër temperaturave prej -42 gradë Celsius.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar me forcë arrestimin e zotit Navalny dhe qindra arrestimet e javës së kaluar duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.

Në një postim në Tëitter ditën e diel, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dënoi “përdorimin e vazhdueshëm të taktikave të ashpra kundër protestuesve paqësorë dhe gazetarëve nga autoritetet ruse për të dytën javë“.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb