Presidenti i Irakut, Barham Salih tha se pas sulmit të kryer mbrëmë ndaj protestuesve në Bagdad, qëndrojnë banda dhe organizata të jashtëligjshme.


Nëpërmjet një deklarate me shkrim për sulmet e kryera mbrëmë kundër protestuesve në sheshin El-Hallani në Bagdad, Salih ka shprehur keqardhje të thellë për ngjarjen dhe ka theksuar se sulmi i cili ka shkaktuar humbjen e jetëve dhe plagosjen e qytetarëve është kryer nga banda dhe organizata të jashtëligjshme.


“Protestuesit kanë të drejtë të zhvillojnë protesta paqësore ndërsa forcat e policisë kanë përgjegjësinë të mbrojnë jetët e tyre”, ka rikujtuar Salih i cili ka shtuar se autorët duhet të nxirren para drejtësisë.


Të paktën 16 persona e kanë humbur jetën si pasojë e zjarrit të hapur mbrëmë nga persona të paidentifikuar drejt protestuesve në kryeqytetin e Irakut, Bagdad.

Komisioni i Lartë i Pavarur për të Drejtat e Njeriut në Irak në një deklaratë më 4 dhjetor njoftoi se 460 persona e kanë humbur jetën ndërsa 19 mijë të tjerë janë plagosur në protestat që kanë filluar më 1 tetor kundër papunësisë, korrupsionit dhe mungesës së shërbimit publik.

Gjatë protestave që vazhdojnë kryesisht në Bagdad dhe në qytetet tjera në pjesën jugore dhe qendrore, ka edhe reagime ndaj ndikimit të Iranit në vend.

Kryeministri irakian, Adil Abdul-Mahdi, për shkak të protestave antiqeveritare u detyrua të japë dorëheqje më 29 nëntor.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb