Gjykata e Elbasanit u zhvendos sot në katin e tretë të Kirurgjisë në QSUT ku është shtruar Ardian Çapja, i cili dyshohet se bashkë me nipin e tij Florenc Çapja kanë organizuar dhe financuar vrasjen e Gentian Beqirit dhe babait të tij, Nezir Beqirit, më 2012. Për 53-vjeçarin u caktua masa ‘arrest me burg’, ndërsa nipi i tij është shpallur në kërkim.

Seanca gjyqësore u mbaj nën masa të rrepta anti-covid nga njëra anë dhe në anën tjetër nën masa të rrepta sigurie për shkak të personalitetit të Çapjas, i cili është konsideruar sipas policisë si kreu i grupit kriminal që urdhëronte vrasje me pagesë. Edhe në rastin konkret, ka dyshime të forta se Ervis Bardhi, i cili ka qëlluar për vdekje Gentian Beqirin, në bashkëpunim me disa të tjerë, ka vepruar kundrejt një shumë prej 50 mijë eurosh, të paguara sipas tij nga Ardian dhe Florenc Çapja. Dy prokurorët e çështjes, Kreshnik Ajazi e Ridvan Sukaj, mbërritën në QSUT nën masa të rrepta sigurie, për shkak edhe të rrezikut që i kanoset. Gazetarja Klodiana Lala në një raportim live për ‘News24’ nga spitali tha se prova që kanë paraqitur në seancë prokurorët ka qenë dëshmia e të penduarit Ervis Bardhi.

Nga ana tjetër avokatët e Çapjas e kanë konsideruar të pabesueshëm Ervis Bardhin dhe kanë kërkuar që dëshmia e tij mos të merret në konsideratë nga ana e gjykatës. Fill pas arrestimit njeriu shumë i përfolur për botën e krimit, 53-vjeçari Çapja është transferuar me urgjencë nga ambientet e paraburgimit në repartin e kardiokirurgjisë, pasi ka shfaqur probleme me zemrën. Lala tha se Çapja i është nënshtruar koronarografisë dhe një ndërhyrjeje tjetër. Çapja shfaqi probleme dhe për faktin se në qershor të viti të kaluar i mbijetoi një atentati pranë banesës së tij ndërsa u qëllua me snajper nga Kodra e Krastës nga një largësi prej 400 metrash.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb