SPAK shpall moskompetencën për dy kallëzimet të maxhorancës që lidhen me demostratën e 21 janarit 2011, gjatë së cilës u vranë 4 protestues në Bulevardin Dëshmorët Kombit. Dosja i kaloi për shqyrtim institucionit të akuzës së kryeqytetit, i cili duhet të vendosë për fatin e kallëzimeve të bëra nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe sekretari i përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri. Eksponentët e lartë të partisë socialiste depozituan në prokurorinë e Posaçme kallëzimet penale në dritën e disa të dhënave të reja, siç ishin transkriptet e komunikimeve në radio të efektivëve të Gardës së Republikës ditën e ngjarjes.

Ata kallëzuan penalisht për vrasje në rrethana cilësuese ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Bashën dhe ish-kreun e Gardës Ndrea Prendi. Por, SPAK argumenton se nuk është kompetente si prokurori për të hetuar këtë çështje dhe e pasoi topin në dyert e prokurorisë së Tiranës.

Në momentin që transkriptet e audiopërgjimit u publikuan nga Artan Hoxha, xhaxhai I Aleks Nikës, një prej viktimave të 21 janarit deklaroi se e dispononte provën, por do ta dorëzonte atë vetëm në duart e prokurorëve të SPAK. Madje ai refuzoi kërkesën e oficerëve të zyrës së vrasjeve që zbarkuan në shtëpinë e tij për te sekuestruar komunikimet në radio të ish-kreut të Gardës Ndrea Prendi me oficerët e tjerë, duke argumentuar se nuk ka besim te prokuroria e Tiranës.

Kjo e fundit ne 2020 e rihapi hetimin për dosjen 21 janari dhe predhën që mjekët në Turqi hoqën nga trupi i Aleks Nikës, pasi ai ndërroi jetë e dërguan për ekzaminim në një laborator jashtë vendit. Për Ziver Veizin dhe Faik Myrtaj janë dënuar për vrasje nga pakujdesia ish-kreu i Gardës Ndrea Prendi dhe Gardisti Agim Llupo. Vrasjet e Hekuran Dedëd dhe Aleks Nikës mbeten pa autor.

Kujtojmë se pak javë më parë Partia Socialiste depozitoi në SPAK një tjetër kallëzim për vrasjet e 21 janarit, ndërsa kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, tha se ky hap vjen pas publikimit të një audio përgjimi të ri.

“PS është subjekti që ka thirrur protestën e 21 janarit, 4 dëshmorët janë 4 prej nesh. Në dritën e provave të reja, siç është audio përgjimi që është bërë publik, bazuar edhe në faktin që dosja penale për vrasjen e Aleks Nikës është ende në prokurorinë e Tiranës, ne nxisim SPAK ta hetojë këtë çështje. Në orët në vijim do të jetë kallëzimi i PS-së”, shprehej ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb