Ministria e Arsimit, Evis Kushi në interpelancë sot në platformën e bashkëqeverisjes kërkuar nga maturantë përfaqësues të “Parlamentit të Nxënësve” në lidhje me rregullat dhe ndryshimet në Maturën Shtetërore 2021, deklaroi se provimet e maturës do të korrigjohen me 30 qershor. Sipas Kushit, më 15 korrik do të jetë data finale e marrjes se diplomës”. Kushi tha se “Komiteti i Maturës Shtetërore në Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë, prej disa muajsh ka bërë një punë intensive për të hartuar rregulloren, e cila tashmë është e publikuar online në faqen zyrtare të Ministrisë”.

“Matura shtetërore tashmë prej 15 vitesh është një institucion dhe një e mirë publike e cila garanton jo vetëm transparencë, por dhe cilësi të lartë dhe në gjithë këto vite ne jemi përpjekur të implementojmë të gjithë instrumentet e duhur në mënyrë që kjo garanci dhe kjo cilësi të jetë në të gjitha hallkat e këtij procesi, sepse vërtetë është një proces i gjerë jo vetëm në kohëzgjatje, por dhe për përfshirjen e shumë institucioneve dhe aktorëve të ndryshëm”, tha ajo.

Kushi tha se “ky vit ka qenë i vështirë për të gjithë, por sidomos për maturantët që janë në një moment ku varet e ardhmja e tyre. Pandemia na ka detyruar të marrim vendime të rëndësishme, të aplikojmë skenarë të ndryshme për zhvillimin e procesit mësimor në të gjithë Shqipërinë, që nga skenari i parë me prezencë fizike nëpër shkolla të të gjithë nxënëse, por dhe me skenarin e kombinuar ku një pjesë e mësimit bëhet online dhe një pjesë më prezencë fizike. Megjithatë në të gjitha rastet ne kemi vendosur që maturantët të jenë çdo ditë në shkollë se për ta është shumë e rëndësishme cilësia e mësimdhënies të jetë maksimale. Dhe përveç përjashtimit që kemi bërë për të gjithë maturantët, në të gjithë vendi që të jenë në mësim çdo ditë, gjithashtu videot mësimore të gjithë maturantë mund t’i gjejnë edhe në kanalin youtube të Ministrisë, mund t’i shohin në transmetuar në kanalin e dedikuar RTSH Shkolla dhe po ashtu dhe në platformën falas “Akademia.al”.

Ajo theksoi se “këtë vit, vëmendja jonë do të jetë maksimale për ju sepse ne jemi të ndërgjegjshëm për sfidat që keni për para dhe jo vetëm për të përmbyllë me sukses këtë cikël 12 vjeçar të arsimit parauniversitarë, por dhe sfidat që paraqet rrugëtimi i ri që keni përpara”. Kushi tha se “në vitin 2016-2017 ne filluam me kurrikulën e re të bazuar në kompetenca e cila gjatë vitit të kaluar shkollor u përmbyll, pra u plotësua për të gjithë arsimin e lartë dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore e ka garantuar të gjithë strukturën dhe përmbajtjen e testeve pikërisht në përputhje më ketë kurrikulën të re”.

E pyetur se si do jetë struktura e testit të maturës, Kushi tha se “nisur nga kërkesat e shumta të maturantëve, por edhe nga analiza e eksperteve, kemi vendosur që këtë vite në provimet e maturës shtetërore një pjesë e pyetjeve të jenë të strukturuar me alternativa dhe një pjesë të jenë me zhvillim. Në total testi përmban 60 pikë dhe nga këto, 20 i takojnë pyetjeve me alternativa dhe 40 pikë i takojnë pyetjeve me zhvillim. Do ketë tre nivele vështirësi, pra niveli i parë më i ulëti i vështirësisë që do jetë në 40% të testit, po kështu niveli i dytë përmban 40% të testi, ndërkohë që niveli më i lartë do ketë vetëm 20% të totali të testi. Janë katër provime, 3 do jenë të detyrueshme dhe janë gjuha shqipe dhe letërsia, matematika dhe gjuha e huaja, ndërkohë që vetëm një provim do të jetë me zgjedhje”.

Ndër të tjera, Kushi iu përgjigj edhe pyetjes që lidhet me vlerësimin e testeve të provimeve të MSH. Ajo shprehet se do të aplikohen dy metoda të vlerësimit të testeve. “Njëra metodë është metoda elektronike, me skanim, për pyetjet me alternativa – metodë që përdoret tashmë prej 2 vitesh dhe është një nga mënyrat më të sakta të korrigjimit të pyetjeve me alternativa kudo në botë. Ndërsa për pyetjet që janë me zhvillim, do të vlerësohen nga mësuesit tanë vlerësues, të cilët janë të certifikuar, kanë përvojë në arsimin e mesëm të lartë dhe janë të kualifikuar me vlerësim maksimal” – tha ajo.
Ministrja Kushi është shprehur gjithashtu edhe në lidhje me çfarë duhet të kenë kujdes maturantët gjatë zhvillimit të provimit, një pikë e rëndësishme nga të cilat është për maturantët që do të konstatohen me celular ditën e provimit.

“Duke marrë parasysh situatën e vështirë dhe shumë stresuese që po kalojmë, e fundit që do të donim ishte t’ju shtonim stres, por nga ana tjetër duhet që absolutisht provimet të zhvillohen në kushte të barabarta dhe pa cenuar të drejtën e askujt. Prandaj, gjatë këtij viti kemi vendosur të bëjmë disa ndryshime në lidhje me rregulloren e Maturës Shtetërore. Maturantët të cilët paraqiten në qendrën e provimit dhe/ose konstatohen gjatë provimit me celular përjashtohen nga ai provim dhe kanë të drejtë ta japin atë në sesionin pasardhës, që do të thotë në sesionin e vjeshtës”, tha ministrja. E pyetur nga nxënësit se kur do të jepen diplomat e maturës, Kushi tha se “se do të angazhojmë maksimalisht të gjitha stafet tona, në mënyrë që rezultate të shpallen brenda datës 30 qershor dhe për të gjithë ata maturantë që kanë dëshirë të studiojnë jashtë vendit, diplomat do të lëshohen brenda datës 5 korrik dhe për të gjithë të tjerët me 15 korrik, pra data finale e marrjes se diplomës”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: