Nga vendi i parë në të tretin në pak javë dhe me një distancë prej 6 pikësh nga vendi i parë. Një ecuri e dobët e Partizanit për vitin 2023, teksa në 5 ndeshje ka grumbulluar vetëm 2 pikë.

Krizën që po kalon ekipi e pranoi edhe trajneri Colella, i cili përjashtoi të tijtë nga gara për titull. Për disa kjo mund të jetë një strategji për të larguar presionin dhe ndoshta kështu është kuptuar edhe nga drejtuesit e klubit, të cilët kanë vendosur t’i japin edhe një shans.

Ndeshja e radhës e Partizanit do të jetë në Ballsh kundër Bylisit. Një sfidë që mund të cilësohet edhe si një kryqëzim për të kuqtë. Në rast fitoreje, Partizani do të merrte moralin e duhur për të vijuar të qëndronte në vendet e para dhe në garë për titull, duke përfituar edhe nga fakti që Tirana dhe Vllaznia përplasen me njëra tjetrën.

Por në rast se nuk merret maksimumi në Ballsh, me shumë mundësi rrugët mes Partizanit dhe Colella-s do të ndaheshin, me trajnerin italian që nuk mund ta shpëtonte asnjë alibi apo batutë e tij. Janë edhe 16 javë deri në fund, shumë pikë në lojë, ndaj në kampin e kuq ende shpresojnë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb