Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Mbi 10 për qind e infermierëve të rinj kanë rezultuar mbetës në provimin e aftësimit profesional, i cili njihet ndryshe si provimi i praktikës. Urdhri i Infermierëve të Shqipërisë ka publikuar listën me rreth 140 kandidatë, të cilët nuk kanë mundur ta kalojnë me sukses, por që sipas rregullores, kanë të drejtë ta rijapin këtë provim.

Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” boton kodet e tyre, sipas specialitetit përkatës e që sipas UISH-së, para se të rihyjnë në provim, do të duhet të përsëritin praktikën mësimore. Nëse i referohemi listës, ajo që bie në sy është fakti se pjesa më e madhe e mbetësve janë infermierë, ndërsa vetëm 12 kandidatë i takojnë specialitetit fizioterapi.

Ndërkohë që kandidatët e specialiteteve mami, teknikë laboratori, teknikë imazherie dhe logopedi rezultojnë kalues. Kalimi me sukses i provimit të praktikës është një kusht për hyrjen në Provimin e Shteti, i cili është kusht për ushtrimin e profesionit.

Provimi
Gjatë vitit 2012, Urdhri i Infermierit ndryshoi kushtet për të gjithë kandidatët që dëshironin të hynin në Provimin e Shtetit. Sipas këtyre ndryshimeve, të interesuarit përveç praktikës profesionale, i nënshtrohen një testimi profesional në fund të saj, ndërkohë që vetëm nëse vlerësohen pozitivisht në të, kanë të drejtë të regjistrohen për Provimin e Shtetit.

Konkretisht, studenti i diplomuar në infermieri, fizioterapi, logopedi, teknikë imazherie dhe teknikë laboratori ditën që regjistrohet, merr librezën e praktikës profesionale. Në këtë librezë mbahen shënimet ditore përgjatë 12 javëve që studenti realizon praktikën, të cilat firmosen çdo ditë nga drejtuesi i saj. Në fund, libreza e firmosur nga drejtuesit vlerësohet me një numër pikësh të caktuara. Saktësisht, ato janë nga 10 deri në 25 pikë, të cilat i njihen kandidatit gjatë realizimit të testimit profesional. Ai e merr librezën dhe 10 ditë para datës së provimit e dorëzon atë pranë urdhrit profesional dhe regjistrohet për dhënien e testimit profesional.

Testimi profesional jepet para një komisioni të posaçëm të ngritur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Urdhri i Infermierit, ku kandidatët do të përgjigjen me gojë dhe praktikisht. Për këtë sezon Urdhri i Infermierit nuk ka publikuar detaje të provimit të praktikës profesionale, çka do të thotë se ato do të jenë të njëjta me ato të viteve të kaluar. Kështu, ashtu sikurse më herët, kandidati u përgjigjet 5 pyetjeve, të cilat ishin në programin e praktikës profesionale, ndërsa secila vlerësohet me nga 1 deri 25 pikë. Pikët maksimale janë 100, ndërkohë që për ta kaluar me sukses, kandidati duhet të marrë 50 pikë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: