NGA OLA MITRE

TIRANE- Rreth 25 për qind e in fermierëve të rinj, të cilët iu nënshtruan provimit të praktikës, kanë rezultuar mbetës. Të dhënat bëhen me dije nga Urdhri i Infermierëve të Shqipërisë, i cili ka publikuar kodet e atyre, që duhet të përsërisin Praktikën Profesionale me Mbikëqyrje si dhe provimin e Vlerësimit të Aftësimit Praktik. Në listën, që “Gazeta Shqiptare” e publikon sot të plotë, këta kandidatë identifikohen përmes kodit personal, i cili korrespondon me kartën e praktikantit.

Sipas kësaj liste, 100 kandidatë, nga rreth 400 që iu nënshtruan këtij provimi, nuk kanë arritur ta kalojnë atë me sukses. Mbetës kanë rezultuar edhe 2 fizioterapistë, nga 50 kandidatë të regjistruar pranë UISH-së. Urdhri i Infermierit ende nuk ka publikuar datat, në të cilat ata do të duhet të rifuten në provim, ndërkohë që, për 4 profesionet e tjera që janë pjesë e tij, e më konkretisht: mami, teknikë imazherie, teknikë laboratori e logopedi, të gjithë kandidatët rezultojnë kalues.

PROVIMI
Gjatë vitit 2012, Urdhri i Infermierit ndryshoi kushtet për të gjithë kandidatët që dëshironin të hynin në Provimin e Shtetit. Sipas këtyre ndryshimeve, të interesuarit, përveç praktikës profesionale, i nënshtrohen një testimi profesional në fund të saj, ndërkohë që vetëm nëse vlerësohen pozitivisht në të, kanë të drejtë të regjistrohen për provimin e shtetit.

Konkretisht, studenti i diplomuar në infermieri, fizioterapi, logopedi, teknikë imazherie dhe teknikë laboratori, ditën që regjistrohet, merr librezën e praktikës profesionale. Në këtë librezë mbahen shënimet ditore përgjatë 12 javëve që studenti realizon praktikën, të cilat firmosen çdo ditë nga drejtuesi i saj.

Në fund, libreza e firmosur nga drejtuesit vlerësohet me një numër pikësh të caktuara. Saktësisht, ato janë nga 10 deri në 25 pikë, të cilat i njihen kandidatit gjatë realizimit të testimit profesional. Ai e merr librezën dhe 10 ditë para datës së provimit e dorëzon atë pranë urdhrit profesional dhe regjistrohet për dhënien e testimit profesional. Testimi profesional jepet para një komisioni të posaçëm të ngritur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Urdhri i Infermierit, ku kandidatët përgjigjen me gojë dhe praktikisht.

Për këtë sezon Urdhri i Infermierit nuk ka publikuar detaje të provimit të praktikës profesionale, çka do të thotë se ato do të jenë të njëjta me ato të vitit të kaluar. Kështu, në sezonet e kaluara kandidati u përgjigjej 5 pyetjeve, të cilat ishin në programin e praktikës profesionale, ndërsa secila vlerësohej me nga 1 deri 25 pikë. Pikët maksimale ishin 100, ndërkohë që për ta kaluar me sukses kandidati duhej të merrte 50 pikë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: