NGA BESNIK BAKIU

Kisha bërë një marrëveshje me vetveten, që nuk do të prononcohesha më për marrëveshjen e detit me Greqinë, pasi i kam shteruar të gjithë argumentet historikë dhe juridikë për këtë çështje, por ishte intervista e ambasadores së Greqisë në Tiranë, zonjës Eleni Sourani për “Albanian Daily News”, që më detyroi të mos e mbaj këtë marrëveshje. Zonja Ambasadore në mënyrë provokative, ka rikonfirmuar qëndrimin e Greqisë për marrëveshjen e detit, duke pohuar se “nënshkrimi në nivel qeveritar është përfundimtar dhe i mjaftueshëm”. Ajo është shprehur se: “Lidhur me delmitimin e kufirit detar mes dy vendeve, do të doja të vija në dukje se kjo nuk është një çështje e pazgjidhur, përderisa ka një marrëveshje të nënshkruar në vitin 2009, e cila u hartua me kujdes dhe bazuar në Konventat e OKB-së dhe ligjin e Detit dhe që në vështrimin tonë i shërben interesave të të dyja vendeve”.

Ky qëndrim i saj nuk është rast i shkëputur, ai është në vazhdën e qëndrimeve të zyrtarëve të lartë grek, si ai i ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, i cili propozoi korrigjimin teknik të paktit detar; apo të ministrit të Mbrojtjes, Panos Kamenos, i cili deklaronte se “Greqia nuk do të japë asnjë milimetër të tokës, detit dhe ajrit të saj”. Kjo deklaratë e tij u bë lidhur me aksionin e ndodhur jo shumë kohë më parë në detin Jon, (në blloqet detare që i përkasin Shqipërisë)ku u dërguan misione eksplorimi për hidrokarbure. Këto qëndrime janë “non sens”, është si të vazhdosh historinë aty ku u ajo u mbyll, të bësh sikur nuk ka ndodhur asgjë. Sinqerisht habitem se si ka mundësi që fqinjët tanë (paraardhësit e të cilëve, i kanë dhënë kaq shumë kulturës evropiane)nuk kanë kuptuar ende frymën evropiane se barazia e shteteve, interesi i ndërsjellë, transparenca, respektimi i tërësisë territoriale, përjashtimi i presioneve, mashtrimeve apo kërcënimeve, nderimi mes kombeve, respekti ndaj kulturave janë themelet e një fqinjësie të mirë mes shteteve. Kërkesat dhe presionet greke për këtë marrëveshje, janë të papranueshme dhe irracionale.

Marrëveshja e detit nuk ekziston, është e vdekur, prandaj rreth diçkaje që nuk ekziston nuk mund të bësh rinegocim dhe korrigjime teknike. Ringjallja, nuk ka asnjë vlerë dhe domethënie për historinë, pasi i vdekuri historik nuk mund të ringjallet. Mrekullia e ringjalljes ka ndodhur vetëm një herë, kjo është shprehur në “Dhiatën e Re” të Jezu Krishtit, e njohur si “Ringjallja e Llazarit”. Por aktorët e kësaj shfaqjeje kokëfortë nacionalizmi nuk kanë të përbashkëta me mrekullibërësin, pasi ata me vetëdije bëjnë sikur harrojnë se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë është shprehur qartë dhe prerazi se marrëveshja e detit ishte e papajtueshme me Kushtetutën, si në formë (“mospajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës”) ashtu edhe në përmbajtje (“moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm; mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare”, etj).

Në këto kushte asnjë institucion zyrtar i Shqipërisë, sot dhe në të ardhmen, nuk mund të bëjë objekt bisedimesh marrëveshjen që është cilësuar “e vdekur” nga një institucion suprem. Askush nuk mund të guxojë të ulet në tryezën e (ri)bisedimeve për të njëjtin objekt, pasi marrëveshja nuk ndante, ashtu siç thuhej, në titull Shelf Kontinental në kuptimin juridik, por Ujërat e Brendshme dhe Detin Territorial, kur ato janë pjesë integrale e territorit të shtetit shqiptar dhe jo vetëm mbi këto ujëra, por edhe në hapësirën ajrore mbi to dhe në shtratin e detit dhe nëntokën poshtë këtyre ujërave, shteti shqiptar ushtron sovranitet të plotë territorial. Nëse dikush do të guxojë të bëjë një diçka të tillë, unë do të deklaroj lënien e shtetësisë shqiptare në mënyrë të njëanshme (pa pritur dekretin presidencial për ketë lënie). Megjithatë jam i bindur se ky veprim nuk është i nevojshëm, pasi janë inkurajuese deklaratat e zyrtarëve tanë më të lartë se: “ne nuk kemi ndër mend ta negociojmë interesin kombëtar për të krijuar idenë e një fqinjësie të mirë”.

Gjykata Kushtetuese është shprehur qartë, se: “Kufijtë shtetërorë, përfshi natyrshëm edhe kufirin e Detit Territorial ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, kanë ekzistuar…..Prandaj, duhet të ishin verifikuar vetëm rastet e mbivendosjeve të pretenduara ose nevoja e saktësimit të këtij kufiri shtetëror (vijës së jashtme të Detit Territorial)”. Ndarja e kufirit shqiptaro-grek, është një histori tragjike për ne shqiptarët. Ajo i ka fillesat e veta para krijimit të shtetit shqiptar, pas Kongresit të Berlinit të 1878, i cili ndryshoi Traktatin e Shën Stefanit; kohë kur kjo çështje trajtohej si një çështje greko-turke. Traktati i Berlinit parashikonte ndërmjetësinë e Fuqive të Mëdha në rast se Greqia dhe Turqia nuk do të arrinin një marrëveshje. Ky problem, filloi të merrte zgjidhje në vitin 1912 nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e cila i kushtoi shumë kohë caktimit të këtij kufiri.

Në mënyrë të padrejtë Shqipëria konsiderohej vend humbës i luftës dhe trojet tona nuk mund t’i shpëtonin pasojave të disfatës së Turqisë, duke injoruar faktin se Shqipëria jo vetëm nuk kishte asnjë lidhje me luftën e Turqisë më shtetet e Ballkanit, por përkundrazi kishte dhënë një kontribut të paneglizhueshëm në këtë luftë. Më 11 gusht 1913 Konferenca e Ambasadorëve miratoi propozimin e kryetarit të Konferencës, E. Grey, mbi kufirin jugor të Shqipërisë, i cili përcaktonte se: Shqipërisë i mbetej Korça e Sazani, Greqia merrte Janinën. Ngritjen e një komisioni ndërkombëtar për përcaktimin me detaje të vijës kufitare, si dhe vendosi:”… Greqia detyrohej që, jo më vonë se një muaj pas përfundimit të punimeve të komisionit të tërhiqej nga territoret e pushtuara shqiptare”. Kjo ndarje e këtij kufiri u bë në dëm të Shqipërisë, mbi prizmin për të mos prishur “konceptin evropian”, që mund të çonte sipas tyre në një luftë evropiane dhe jo sipas parimeve etnografike, historike, ekonomike etj. Duhet theksuar se në këtë periudhë shumë të rëndësishme për Shqipërinë patën ndikim të qenësishëm “agresioni” diplomatik-ushtarak grek, gjendja e mjeruar ekonomiko-sociale dhe identitare në të cilën ndodhej kombi ynë.

Ishte kjo padrejtësi historike ndaj një prej popujve më të vjetër të Evropës, që do të sillte ndeshje, gjak, mëri, dhunë dhe lot deri në fillimin e shekullit të XXI, që detyroi Imzot Gjergj Fishtën të akuzojë: “Uh! Evropë, ti kurva e motit!/Që i re mohit, besës së Zotit!/Po, á ky asht sheji i qytetnisë?/Me da token e Shqypnisë.” Është vet kryetari i kësaj Konference zoti Eduart Grej, që ka pohuar padrejtësinë e madhe qe u bë ndaj Shqipërisë :”…Unë e di fare mirë se kur gjithçka do të bëhet e njohur, kjo zgjidhje në shumë pika do të japë shkas për kritika të forta…”. Që kufiri detar shqiptaro-grek ka ekzistuar, dokumentuar, njohur dhe respektuar jo vetëm nga të dy palët, por edhe subjektet e tjera të së drejtës ndërkombëtare, ka një mori faktesh e provash. Kjo vijë është sanksionuar në Aneksin III të Protokollit të Firences: “Duke filluar prej shenjës kufitare Nr. III/79, vija e kufirit drejtohet nga Jug-JugPerëndimi, zbret shkëmbinjtë shumë të pjerrët dhe pas rreth 10 metër, takohet me bregun e detit. Pastaj ajo vazhdon deri në kufirin e ujerave territoriale duke ndjekur një vijë normale me drejtimin e përgjithshëm të bregut të detit. Ishulli i vogël i Tongos, i ngelet Shqipërisë”.

Kufiri është konfirmuar edhe në akte formalo-juridike ndërkombëtare, si: Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kur shqyrtoi dosjen e Incidentit të Kanalit të Korfuzit, në vitet 1947- 1949, pasi pohohet se ngjarja ka ndodhur në ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë. Po ashtu është fakti i njohur gjatë luftës së ftohtë, që në kanalin e Korfuzit deri në vitin 1968 (kur ne ishim në Traktatin e Varshavës) ndaheshin kufijtë e dy blloqeve NATO-s dhe Traktatit të Varshavës. Askush nuk e beson se këto blloqe nuk e paskan pasur të ndarë këtë kufi, kur juridiksioni i këtyre blloqeve shtrihej sipas vijës kufitare të shteteve anëtare? Nuk kemi harruar se si rezultat i gjeopolitikës së kohës u krijuan dy shtete gjermane me kufij të përcaktuar ekzaktësisht dhe u nda në mes të tij një qytet si ai i Berlinit. Edhe në marrëveshjet e përbashkëta shqiptaro-greke, vija e kufirit është njohur zyrtarisht.

Po citoj vetëm disa pjesë prej tyre: “…brenda ujërave territoriale të Shqipërisë..”,”..në ujërat territoriale shqiptare ..”,”..hapësirat detare të dy vendeve..”, “..përgatitjen e planeve për ruajtjen e kufirit detar shqiptaro-grek..”. Asnjëherë nuk rezulton që të ketë pasur kontestim institucional prej qeverive greke, përkundrazi ky kufi është njohur dhe respektuar. Deklaratat mediatike sa herë që fqinji ynë ka probleme të brendshme, apo gjatë fushatave elektorale, nuk kanë asnjë vlerë në të drejtën ndërkombëtare. Ne shqiptarët duhet të mos harrojmë se Greqia ka mbi 75 vjet, që nuk ka abroguar ligjin absurd të luftës me Greqisë dhe Shqipërisë, ndonëse Shqipëria dhe Greqia janë anëtare të NATO-s dhe në bazë të artikullit 5 të Traktatit themelues të NATO-s duhet të bëjnë luftë kundër të tretëve për të mbrojtur njëri-tjetrin.

Megjithatë është e domosdoshme krijimi i një klimë politike më miqësore midis dy shteteve, që marrëveshja tjetër e detit (dhe jo vetëm)të jetë e shëndetshme dhe e drejtë, për të hapur udhë të reja bashkëpunimit dhe mirëkuptimit jo vetëm mes dy popujve tanë të lidhur me miqësi, por edhe qeverive tona respektive, që e kanë shansin t’i kapërcejnë vështirësitë (sirenat e nacionalizmit dhe urrejtjes) dhe të kthejnë në favor të vendeve të tyre situatat dhe rrjedhat, në të cilat ka hyrë sot kontinenti ynë, pasi siç ka parashikuar një nga ideatorët dhe ideologët e Rilindjes shqiptare, poeti kombëtar Naim Frashëri “Interesat politike e të dy kombeve e do që gjithnjë Shqipëria dhe Greqia të jenë miq të pandarë. Por fazat historike që prej një shekulli e tëhu do të nxjerrë shumë pengime për një marrëveshje të vërtetë”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb