TIRANË- Partia Socialiste ka deklaruar sot se është gati të votojë rezolutën e Parlamentit Europian për marrëveshjen me Partinë Demokratike, në mënyrë që opozita ti rikthehet jetës parlamentare. Në emër të PS-së, ka qenë deputeti Taulant Balla që ka deklaruar se maxhoranca është gati që të votojë që nesër këtë rezolutë.

“Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, përshëndesim qëndrimin parimor të dy përfaqësuesve të dy grupeve më të mëdha politike në Parlamentin Europian, të grupit të Socialistëve dhe Demokratëve dhe të grupit të Partive Popullore Europiane. Për ne, deklarata e tyre është 100 përqind në linjë me qasjen parimore që PE ka dhe që i takon tashmë Kuvendit të Shqipërisë ta mbështesë tërësisht. Ne jemi gati ta kemi këtë qëndrim parimor një rezolutë të Kuvendit të Shqipërisë dhe ta votojmë nesër sëbashku me deputetët e Partisë Demokratike në Kuvend”, tha Balla.

Ai shtoi se tashmë janë në pritje të përgjigjes së PD-së, por pavarësisht kësaj ai tha se maxhoranca do ta votojë nesër këtë dokument.

“Le të shpresojmë që PD është gati të kthehet në punë dhe të votojë bashkë me ne këtë rezolute fjalë për fjalë siç është. Në pritje të reagimit të PD, ne do të shohim mundësinë që sidoqoftë të votojmë nesër këtë dokument, si shprehje të palëkundur të shumicës parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë”, përfundoi Balla.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: