Drejtuesi politik i PS në Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, jep lajmin se PS ka fituar edhe Njësinë nr. 7 në kryeqytet.

Në fjalën e tij nga selia rozë, Veliaj tha se fitorja në këtë njësi, e drejtuar nga Etilda Gjonaj, tregon se Reforma në Drejtësi do të vazhdojë.

“Jam sot shumë krenar për Etildën, Aldrinin, skuadrën tonë të mrekullueshme, për burrat dhe gratë, që kanë thyer një rekord, me një rezultat shumë më të mirë se dy zgjedhjet e fundit. Përveç atij ngacmimit që shumë njerëz thonin se nuk fitohet me goca të mira Njësia 7, por duhen cuna të fortë, prova se nuk dështon Reforma në Drejtësi është fitorja jonë në Njësinë 7.


Unë e di që beteja jonë nuk ka mbaruar dhe reforma në drejtësi është kantier, këtu përballë ka edhe trafikantë droge, që kemi sfida pafund, por çështja është se tërhiqemi nga të gjithë ata që preken nga reformat tona apo vazhdojmë të ecim përpara. Kush mendoi se duke vënë një vajzë të mirë, të shkëlqyer, familje, e përgjegjshme, dhe e pa këtë si dobësi, sot kuptoni që ne jemi më të fortë se kurrë. Të jesh i mirë nuk është dobësi, të jesh i ndershëm e i sjellshëm nuk është dobësi, të jesh punëtor nuk është dobësi, nëse dikush kishte nevojë për një provë, fitorja e Etildës në Njësinë 7 është prova. Ne nuk e ulim kokën, nuk e pranojmë të keqen të na sundojë. I falënderoj të gjithë me gjithë zemër, e sidomos patronazhistët tanë të mrekullueshëm. Do ketë më shumë drejtësi nga fitorja e Etildës”, tha Veliaj.

E emocionuar, Etilda Gjonaj dha një mesazh falënderues për mbështetësit, teksa tha se “Falënderoj ata që besuan te PS, duke i dhënë mandatin e tretë për të qeverisur vendin. Një falënderim për gjithë ekipin tonë, për të deleguarit, patronazhistët, anëtarët e FRESSH, numëruesit, që me shumë kurajo përfunduan një proces të jashtëzakonshëm. Falënderoj edhe familjen time, në veçanti bashkëshortin dhe djalin tim. Në këtë fitore ne do të vazhdojmë të gjitha reformat, për të konsoliduar demokracinë në këtë vend”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb