Kryeministri Edi Rama foli edhe për renditjen e ministrit të Diasporës, Pandeli Majko, në “vijën e zjarrit” në listën e PS të 25 prillit.

Rama tha se listat janë bërë nga drejtuesit politikë të qarqeve, ku sipas tij, ka pasur ndërhyrje e diskutime, por jo imponime. Sa i takon Majkos, Rama tha se PS i ka dhënë gjithçka, ndërsa shtoi se ka pasur diskutime me kryebashkiakun e Tiranës, Erjon Veliaj, për listat.

“Listat janë bërë nga drejtuesit e qarqeve. 95% e tyre janë bërë prej tyre. Në kutpimin cfarës skuadre do të kemi në Vlorë Damian, ndërkohë ‘po sikur ky, po sikur kjo’. Ndërhyrje pak fare për të bërë propozime dhe me argumente, se nuk është puna të imponosh, se nuk i vlen Vlorës, Durrësit, Tiranës. Listën e Tiranës e ka draftuar drejtuesi. Patjetër që kemi diskutuar me kryetarin e Bashkisë, kemi pasur një diskutim për dikë, se unë jam më plak, Lali është më i ri. Nuk shkon, në rregull nuk shkon, kështu funksionon çështja e listave. Ndërkohë, meqë në Tiranë drejtuesi nuk është deputet, Pandeli Majko është personi që do të qëndrojë te kufiri. I ka dhënë PS gjithçka, everything”, tha Rama.

Ndërkohë, i pyetur nga gazetari Ergys Gjençaj për debatin e fortë me Ditmir Bushatin në mbledhjen e mbrëmshme të Kryesisë së PS, Rama e pranoi se nuk ka pasur diskutime me ish-ministrin e Jashtëm për listat e PS.

“U bë personazh Ditmiri pa asnjë arsye, mendoj unë, për kaq shumë vëmendje, megjithatë e kuptoj. PS ka kapacitetin edhe njëherë tjetër të bëjë skuadra fituese. Koncepti im për skuadrën është ky, kam luajtur në një skuadër, unë nuk ndjek futboll në sensin e një futbollisti, por ndjek trajnerët e mëdhenj dhe jam shumë i interesuar që të ndjek funksionimin e skuadrave nga pikëpamja e lidershipit. Disa prej tyre i kam miq, miq, komunikoj rregullisht, për çështje lidershipi dhe për çështje të skuadrës. I them këto se është shumë e rëndësishme të kuptohet që për mua partia nuk është një platformë ku ti vetëm merr, as një platformë ku ti bën vetëm atë që ke qejf. Skuadra jonë e madhe është e gjithë Shqipëria, ata që kanë nevojë t’iu hapësh telefonin. Me Ditmirin nuk jemi konsultuar, kjo është e vërtetë. Keni qenë këtu, kur ne mblidheshim çdo javë me drejtuesit e qarqeve, dhe mblidheshim pikërisht për skuadrën në të gjitha aspektet dhe ku jemi me personat. Të gjithë drejtuesit e qarqeve janë konsultuar me dreq e me të birin, nëse e themi kështu, dhe ne kemi bërë hulumtime për të kuptuar kush janë lojtarët që na japin maksimumin. Ditmir Bushati është i vlefshëm, por jo për këtë ndeshje, jo për këtë skuadër. Ka dhe emra të tjerë që nuk janë për këtë ndeshje, e për këtë skuadër. Ka dhe persona që iu është thënë ‘për këtë pozicion’, dhe ata kanë thënë ‘jo’, dhe ju kemi thënë ‘ulu në stol’. Si qenka kjo punë, apo bëje PS një klub, etj”, u shprhe kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb