Nënkryetarja e Parlamentit Ermonela Felaj, ka deklaruar se mazhoranca është kundër projektit të opozitës për ndarjen e re territoriale me 92 bashki, duke shtuar se harta e re territoriale bazohet mbi llogari elektorale të Partisë Demokratike dhe jo në interesin e qytetarëve.

“Ne jemi për një ndarje territoriale që ka 61 bashki. Nëse ne do të pranonim ndryshime për ndarjen administrative territoriale, do ta benim që t’i shërbente rritjes së shërbimit të qytetarëve, por kur reforma territoriale kërkohet për llogari elektorale, qëllimi i të qenit në funksion të publikut, ka rënë. Kështu që ne nuk mund t’i nënshtrohemi kësaj gjëje. Kërkohet të bëhen bashki territore krejt të vogla, duke mos u orientuar nga analiza për përmirësimin e shërbimeve të popullsisë. Është një analizë e pastër elektorale. Këtu ne nuk biem dakord. Nuk jemi në atë komision për të siguruar llogaritë elektorale të dikujt”, tha ajo.

Në emisionin “Pa censurë”, Felaj ka shtuar se SPAK duhet t’u përgjigjej kritikave publike, të mbajë qendrim ndaj tyre edhe kur ato vijnë nga partitë politike. Në fjalën e saj, Felaj lë të kuptohet se SPAK është treguar oportunist në vend që të bëjë drejtësi dhe pjesë kjo që prek edhe drejtuesin Arben Kraja.

“Prokuroria, gjykatat janë institucione që janë në qendër të kritikës publike. Do të kisha dashur që edhe SPAK t’u përgjigjej kritikave publike, të mbajë qendrim ndaj tyre edhe kur ato vijnë nga partitë politike. Ne kemi konsideratat tona, por ky nuk është sulm ndaj institucioneve. Çështja e dhënies së drejtësisë nuk është çështje e dhënies prioritet, i jap prioritet kësaj gjëje dhe nuk i jap kësaj gjëje. Është çështje e të dhënit prioritet e gjithçkaje që është detyrë e jotja t’i shkosh deri në fund, të zbardhësh dhe të vësh para drejtësisë çdo shkelje. Kërkesa për të vënë para drejtësisë Berishën dhe Metën apo të tjerë ish funksionarë politikë që mund të jenë deputetë apo kryetarë partish vjen nga fanti se këta njerëz, mëse një herë, e kanë shkelur ligjin dhe nuk mundet që këta t’i mbivendosen ligjit.

Ne kërkojmë prokurorë dhe gjyqtarë të cilët, pikërisht se ligji i ka vendosur në pozicion për të vepruar me integritet dhe profesionalizëm, të mund ta bëjnë këtë gjë dhe ta reflektojnë në punën e tyre. Nuk kërkojmë gjyqtarë dhe prokurorë oportunistë. Dikush ka zgjedhur të bëjë oportunistin. Ne nuk kemi heshtur. Kemi kërkuar qe të veprohet”, ka deklaruar nënkryetarja e Parlamentit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb