TIRANË- Partia Socialiste, përmes deputetit Alfred Peza, publikoi të mërkurën lejen e ndërtimit të dhënë nga Lulzim Basha për një objekt në qendër të Tiranës, vetëm 6 ditë para largimit nga posti i kryebashkiakut.

Sipas deputetit socialist, leja skandaloze që mban firmën e Lulzim Bashës është modeli që ai i ka sjellë këtij vendi, sa herë që qeveris. “Ai pallat pa leje, që mbahet në këmbë nga Lulzim Basha, është sot gozhda në trurin e çdo qytetari shqiptar, për të kuptuar se kush është alternativa që ofron ai si lider i opozitës shqiptare”, tha Peza.

Më pas deputeti socialist pyet ish-kryebashkiakun se përse “ai firmosi lejen për pallatin me të cilin është në gjyq ambasada zvicerane” dhe pse “firmosi gjithë punët e pista pasi zgjedhjet kishin mbaruar, numërimi i votave kishte përfunduar dhe kundërshtarët kishin uruar njëri-tjetrin”.

Me këtë vendim, Lulzim Basha tregoi edhe njëherë se është politikani më i pasinqertë i këtij vendi dhe se filozofia e tij si kryetar Bashkie në Tiranë ka qenë ajo e mosbërjes së asnjë pune për qytetarët dhe përfundimit në errësirë të të gjitha punëve të tij të dyshimta. “Ai do të mbahet mend se në 4 vjet nuk mbolli asnjë pemë dhe nuk vendosi asnjë tullë”, shtoi Peza.

Një ditë më parë, PS denoncoi miratimin e një leje ndërtimi nga ish-kryetari i bashkisë Tiranë për një pallat 16 katësh në qendër të kryeqytetit, 6 ditë para largimit nga detyra. PS kërkoi nisjen e hetimeve nga prokuroria për ‘këtë aferë të pastër korruptive”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: