Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, foli në një komunikim live në “Instastory” edhe për fenomenin e shit-blerjes së votave.

Mes të tjerash, Bushati bëri një deklaratë të fortë kundër socialistëve, teksa tha se “nëse PS ka kritikuar me të drejtë veprimet e Sali Berishës dhe Jozefina Topallit kur ju bënin thirrje gjimnazistëve të bënin fushatë, besoj se dhe sot nuk mund të pranojmë standardin kur në 12 të drekës gjimnazistët nxirren nga mësimi, sepse shkon dhe ju flet një prej nesh”.

Sipas ish-ministrit Bushati, këto janë standarde që për fat të keq duan ta kthejnë Shqipërinë pas.

“Unë e mbaj mend herën e parë që kam shkuar te kutia e votimit, 1996, zgjedhjet e përdhosura në Shqipëri. Jemi tre dekada pas rënies së komunizmit, dhe zgjedhjet vijojnë të jenë temë dite. Ne duhet ta bëjmë këtë kapërcim. Sado ta sofistikojmë procesin zgjedhor, ka një çështje që nuk e tejkalojmë dot, besimi. Është shumë e rëndësishme që në këtë proces të kuptojmë ingranazhet.

Politika filloi të mbështetej te njerëz me ‘muskuj’ apo te njerëz me të shkuar të dyshimte e kriminale. Këta njerëz erdhën dhe u bënë kolegët tanë në parlament, morën drejtimin e disa bashkive. Ne kemi dy elemente që duhet t’i trajtojmë të gjithë së bashku, së pari është sistemi, së dyti janë njerëzit. Sistemin duket se e kemi të korruptuar dhe të kalbur dhe një pjesë të njerëzve i kemi të papërshtatshëm. Nuk mjafton të vendosim gishtin mbi X apo Y, por ne kemi nevojë për një reformë të madhe politike, kemi nevojë për të kaluar testin e modernitetit. Kjo e ka origjinën së pari nga vota, nga besimi te vota dhe trajtimi i votës me dinjitet. Kurdo që Prokuroria të zgjohet nga gjumi, kurdo që SPAK të fitojë kurajon për të hetuar, nuk do na i zgjidhin gjërat me magji.

Nëse Shkodra e para 100 vitesh kishte Luigj Gurakuqin, është shumë e rëndësishme që ne ta mbajmë edhe këtë standard sot. Nëse PS ka kritikuar me të drejtë veprimet e Sali Berishës dhe Jozefina Topallit kur ju bënin thirrje gjimnazistëve të bënin fushatë, besoj se dhe sot nuk mund të pranojmë standardin kur në 12 të drekës gjimnazistët nxirren nga mësimi, sepse shkon dhe ju flet një prej nesh. Nuk duhet të shkojmë në disa standarde që për fat të keq duan ta kthejnë Shqipërinë pas.
Nuk ka nevojë që të jetë me regji e organizuar çdo gjë, është shumë e rëndësishme që të jetë sa më e vërtetë. Ne shqiptarët kemi shumë nevojë për liri, për ciltërsi dhe për vërtetësi”, u shpreh ish-ministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb