TIRANË

Kryeministri Edi Rama njoftoi se Partia Socialiste është gati “të ndezë” motorët për përgatitjet për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

Në fund të mbledhjes së Kryesisë së PS, Rama tha se do të nisë menjëherë organizimi për zgjedhjet, ndërsa shtoi se do të respektojnë afatet dhe do të paraqesin kandidatët.

“Sa i përket çështjes së dytë, vendimit për zgjedhje, kemi folur për të filluar menjëherë organizimin. Është një proces, ku ne sigurisht do të jemi pjesë, do respektojmë afatet, do paraqesim kandidatët. Nuk mendoj që do të kemi deputetë kandidatë, sepse deputetët janë zgjedhur për të bërë deputetin dhe ky është mendimi i gjithë Kryesisë. Sa i përket grave, ju e dini që mes një gruaje dhe dhjetë burrash, unë zgjedh gruan”, u shpreh kreu i qeverisë.

Më tej, kryeministri theksoi se një tjetër çështje që është diskutuar në mbledhjen e Kryesisë është edhe ajo e Këshillimit Kombëtar, për të cilën deklaroi se “Folëm dy çështje, për këshillimin kombëtar, iniciuar publikisht e zyrtarisht. Kanë filluar të mbërrijnë pyetësorët nëpër shtëpi, do të shkojnë në të gjitha familjet, dhe njëkohësisht edhe përmes kanalit digjital. I ftoj të gjithë të marrin pjesë në këtë këshillim, është diçka krejtësisht e lirë, e thjeshtë, miqësore. Është një këshillim për disa çështje, për të cilat nuk na mungojnë kartonët, por duam të marrim një mendim të qytetarëve, përtej llogoreve politike. Bëhet fjalë për çështje që prekin drejtpërdrejt qytetarët, aspekte të sigurisë, shëndetësisë, por edhe të politikës së jashtme. Është një nevojë reale për ta marrë këtë opinion për të pasur një ide të qartë se çfarë mendojnë njerëzit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb