Anëtarët e Këshillit Bashkiak në Elbasan protestuan kundër ndotjes së shkaktuar nga industria e rëndë. Pa dallime politike, të majtë dhe të djathtë u vendosën në hyrjen kryesore të rafinerisë së naftës, një nga operatorët më të rinj, por dhe një nga ndotësit më të mëdhenj të ajrit dhe ujërave nëntokësore.


Kryetari i Këshillit bashkiak, njëkohësisht dhe përfaqësues i LSI Altin Idrizi u shpreh se kjo është përpjekja e parë për të ndaluar katastrofën mjedisore në Elbasan. Idrizi kërkoi respektimin e ligjit dhe vendosjen në punë të filtrave.

Si përfaqësues i grupimit të të majtëve Bukurosh Stafa i bëri apel operatorëve industrial të mos bëjnë kompromis me jetën e qytetarëve, duke theksuar se nuk është kundër aktivitetit industrial, por kundër ndotjes.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike dhe një nga zërat kritikë në këshillin bashkiak sa i takon ndotjes Blendi Himçi e vuri theksin te numri i lartë i personave të prekur nga sëmundjet tumorale në Elbasan. Mjaft i indinjuar Z. Himçi u shpreh për Ministrinë e Mjedisit dhe masat minimale të marra prej saj.

Kujtojmë se bashkia e Elbasan prej disa muajsh ka bërë një kallëzim penal ndaj rafinerisë së naftës, si një nga ndotësit kryesor të ujërave nëntokësore. Pavarësisht këtyre ndërhyrjeve situata në Elbasan vijon të jetë e njëjtë dhe qytetarët të thithin ajër të ndotur. Veç rafinerisë së naftës edhe operatorët e tjerë industrial janë konstatuar me shkelje, pasi për shkak të kostos nuk vendosin në punë filtrat. Sipas banorëve situate paraqitet me kritike gjatë natës.

(BalkanWeb)