Nga: DARINA TANUSHI*
TIRANE- Deputetët shqiptarë të Komisionit të Politikës së Jashtme kërkuan ndihmë nga Gjermania për reformën në drejtësi por edhe ekspertizë për një administratë të kualifikuar si edhe për krijimin e kushteve social-ekonomike për ata që kthehen nga emigrimi. Një delegacion i Komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme, kryesuar nga kryetarja Arta Dade zhvilloi një takim në Berlin me kryetarin e Komisionit homolog për Politikë të Jashtme të Bundestagut Gjerman, Norbert Rottgen. Në delegacionin shqiptar morën pjesë edhe deputetët Aldo Bumçi (PD), Namik Dokle (PS) dhe Kastriot Islami (PD). Kryetarja Arta Dade falënderoi homologun e saj për mbështetjen e pakursyer që Gjermania i ka ofruar vendit tonë, si në marrëdhëniet bilaterale ashtu edhe në kuadër të proceseve integruese rajonale dhe mbi të gjitha në rrugën e integrimit në BE. Dade bëri një pasqyrë të përgjithshme të reformave kryesore të ndërmarra në vend, sa i takon reformës territoriale, reformës administrative, si dhe reformës në sistemin gjyqësor.

Në veçanti, vlerësoi faktin se “opozita shqiptare është pjesë e Komisionit të përbashkët parlamentar për reformën në sistemin gjyqësor, e cila parashikon të adresojë problematikat e hasura në të gjitha hallkat e këtij sistemi”. Ajo përmendi asistencën e vlefshme që po ofron Komisioni i Venecias, BE, por edhe vendet anëtare, duke kërkuar dhe ekspertizën e Gjermanisë, pasi, sikurse theksoi ajo, “një sistem gjyqësor mirëfunksional është një nga kushtëzimet për hapjen e negociatave me BE-në”. Pyetjes së Rottgen se si mundet që Gjermania të ndihmojë konkretisht Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, Dade ju përgjigj se aktualisht vendet tona janë përfshirë në Procesin e Berlinit, ku fjalët kyçe të bashkëpunimit janë ekonomia, infrastruktura dhe interkonektiviteti. Deputetja socialiste tha se duhet edhe një vëmendje më e madhe për krijimin e kushteve social-ekonomike të atyre që kthehen dhe rritja e kapaciteteve të strukturave të policisë kufitare dhe të migracionit do të mundësonte eliminimin e fenomeneve të tilla si migracioni.

OPOZITA
Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi tha se një shqetësim të madh për Shqipërinë përbën problemi i dekriminalizimit të politikës. Këtë vit në zgjedhjet lokale sipas tij kandidonin njerëz me të kaluar kriminale. Sipas tij, bazuar në raportin e OSBE-ODHIR mbi zgjedhjet lokale të këtij viti, i cilësuar si më i keqi që nga viti 2003, thuhet se shqiptarët kanë votuar jo të lirë nga frika dhe kërcënimi. Shqetësim tha Bumçi përbën edhe numri gjithnjë në rritje i shtetasve shqiptarë që kërkojnë azil politik në Gjermani. Deputeti demokrat tha se Shqipërisë i nevojitet konsolidimi politik me mbështetjen e Gjermanisë, si një nga vendet më të mëdha në Europë. Opozita mbështet reformën në drejtësi, por sipas tij nevojitet gjithashtu mbështetja e partnerëve të huaj për të mos e politizuar këtë proces. Kurse deputeti tjetër i PD-së, Kastriot Islami tha rreth çështjes së emigrantëve nga vendi ynë, se “Shqipëria është i pari vend në Ballkan që ka emigrantë ekonomikë politikisht të motivuar. Shqipëria po bën një regres si rrjedhojë e korrupsionit, monopolizimit të biznesit dhe kontrollit të mediave”.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb