Zgjedhjet për strukturat e Partisë Socialiste në disa zona të vendit janë zhvilluar në institucione të arsimit parauniversitar, çka ligjërisht cilësohet një shkelje. News24 siguron foto të procesit të zgjedhjes së kryetarëve të organizatave socialiste në disa zona të Sarandës, Gjirokastrës dhe në bashkinë Selenicë, ku duket qartë që ai është zhvilluar në ambiente shkollash apo kopshtesh.

Në Ligjin Nr.69 dt 21.06.2012 për sistemin Arsimor Parauniversitar, i cili gjendet i publikuar edhe në fletoren zyrtare, në nenin 32, pika 4 e tij citohet: “Ndalohet organizimi i veprimtarive partiake në institucionet e sistemit arsimor parauniversitar”. Por kjo nuk është zbatuar në zgjedhjet e organizuara pak ditë më parë nga Partia Socialiste në këto dy qarqe dhe në bashkinë Selenicë.

Siç duket edhe në fotot e publikuara në faqen zyrtare në Facebook të Partisë Socialiste rajoni Vlorë-Gjirokastër, zgjedhjet për organizatën socialiste nr. 4674/1 janë zhvilluar në shkollën 9-vjeçare në Metoq të bashkisë Sarandë.

Po ashtu për kreun e organizatës nr. 4675/1 në shkollën e fshatit Gjashte në këtë bashki.  Organizata nr. 4731/2 i ka zhvilluar zgjedhjet ne shkollën e fshatit Xarrë në bashkinë Konispol, ndërsa për nr. 4734 që i përket të njëjtës bashki votimet janë mbajtur në kopshtin e fshatin Shëndëlli.

Institucionet arsimore janë përdorur për të njëjtin aktivitet partiak në qarkun e Gjirokastrës, së pari në shkollën “Bajram Ligu” njësia administrative Cepo, bashkia Gjirokastër, ku është zgjedhur kreu i organizatës socialiste 4229. Në të njëjtën njësi administrative është përdorur edhe shkolla fillore “Leonidha Rapi” nga organizata socialiste 4233.

Zgjedhjet për organizatën socialiste 4282 janë zhvilluar gjithashtu në një tjetër shkollë të Dropullit. Ambientet shkollore janë shfrytëzuar për këtë qëllim edhe në shkollën “Lame Kanani” e fshatit Damës në Tepelenë, ku është zgjedhur kreu i organizatës socialiste 4354, si dhe në bashkinë e Selenicës ku zgjedhjet janë zhvilluar për titullarët e organizatës socialiste 4608, që korrespondon me shkollën 9-vjeçare të fshatit Gumënicë. Në foto vërehen dukshëm objektet shkollore, në klasat ku çdo ditë fëmijët marrin arsimin bazë.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: